Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Hajrizi Rama, ka pritur sot në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Miroslav Šeparović.
Tahiri ka falënderuar Šeparović për bashkëpunimin e deritanishëm, dhe ka shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë, në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe në ndarjen e përvojave të mira në forcimin e sundimit të ligjit.
Qëndrimi konsistent politik i Kroacisë, sipas ministrit Tahiri, ka ndihmuar Kosovën në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë, dhe kjo mbështetje është jetike edhe në rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës.
Ministri ka theksuar se Kroacia vazhdon të mbetet model i suksesit për kosovarët për arritjet e saja, sidomos në fushën e kushtetutshmërisë.
Gjatë takimit, është diskutuar edhe për ndihmën që Kroacia do t’i ofroj Kosovës në përmbushjen e obligimeve nga kapitujt 23 dhe 24 të integrimeve në BE.