Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fuqizimi i shtetit ligjor, do të arrijë efikasitet më të madh me miratimin e Projekt Kodit të Procedurës Penale, si akti i fundit që përmbyllë reformën në drejtësinë penale në Republikën e Kosovës.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pas miratimit të Kodit të ri Penal, organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë nevojë për të pasur një qasje të re në punën e tyre për ndjekjen e kryerësve të veprave penale, gjë që iu është mundësuar pikërisht përmes ndryshimeve në projekt Kodin e Procedurës Penale, i cili është shtruar për miratim në parim në seancën e ditës së enjte.
“Janë shqyrtuar 220 nene për të rregulluar problemet e hasura në praktikë si dhe janë shtuar dispozita të reja që do të mundësojnë performancë më efikase të organit të akuzës”, ka thënë Tahiri, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, për herë të parë është rregulluar çështja e gjykimit në mungesë, heqja e dëgjimit të dytë, është paraparë seancë e veçantë për caktimin e dënimit që mundëson ballafaqimin e argumenteve të palëve në procedurë si dhe është prezantuar koncepti i suspendimit të zyrtarëve publik në rast të ngritjes së aktakuzave për korrupsion apo abuzim me detyrën zyrtare.
“Po ashtu, projekt Kodi i ri është harmonizuar me ligjin përkatës për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, në mënyrë që çdo personi të dënuar për një vepër penale siç e ka përcaktuar ligji, t’i konfiskohet pasuria e fituar nga aktiviteti kriminal”.
Tahiri thotë se me politikën e re, një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe zgjerimit të të drejtave për viktimat e krimit.
“Projekti Kodi i ri i Procedurës Penale ka përmbushur standardet bashkëkohore dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian, dhe si i tillë është përgjigje e duhur ndaj nevojave dhe sfidave të hasura ndër vite në sistemin e drejtësisë penale. Jam tejet mirënjohës ndaj deputetëve të Kuvendit për miratimin e politikave legjislative që kanë për qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe i ftoj që ta miratojnë edhe Projekt Kodin e Procedurës Penale, për ta përmbyllur kështu me sukses reformën më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Tahiri. /Telegrafi/