Site icon Telegrafi

Tahiri: Kodi Civil, hap vendimtar në reformat e drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, deklaroi se Kosova së shpejti do të bëhet edhe me Kodin Civil, si një prej projekteve më të mëdha legjislative që është ndërmarrë pas Kushtetutës.

“Parimet e Kushtetutës dhe Shtetit të së Drejtës, barazisë para ligjit dhe standardeve bashkëkohore janë duke zënë vend në projekt Kodin Civil, i cili shënon një hap vendimtar në reformat e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, projekt Kodi Civil është duke u hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, udhëhequr nga modelet më të avancuara kontinentale dhe referencat progresive të traditave më të mira që njihen në Evropë.

“Struktura e tij përfshinë kapitujt e parimeve të përgjithshme, detyrimeve, pronësisë dhe të drejtave sendore, familjes si dhe trashëgimisë. Gjatë punës që kemi bërë kemi pasur përkushtim që të drejtat dhe detyrimet, pronësia dhe marrëdhëniet kontraktuale të definohen qartë dhe të gjejnë zbatim të lehtë nga institucionet e sistemit të drejtësisë”, ka thënë ai.

Ministri i Drejtësisë theksoi se fondamenti i këtij projekti është garancia e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët, si instrument juridik që parimet e Kushtetutës i sjellë në një format të zbatueshëm në përditshmëri./kp/

Exit mobile version