Telegrafi

Tahiri kërkon nga Rama anulimin e vendimit për rrugët njëkahëshe në Prishtinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ta anuloj menjëherë vendimin për ta shndërruar unazën qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjete.

Tahiri përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se organizimi një kahor i rrugëve në kryeqytet, është pa rezultat të qartë dhe me ndikim negativ.

Sipas tij, edhe pse qëllimi i deklaruar, del të jetë ambiental, tollovia e shkaktuar nuk i shërben kësaj.

Lexo po ashtu Testimi i qarkores njëkahëshe për automjetet, bëhen kolona në Prishtinë

“Organizimi një kahor i rrugëve (unazë të brendshme) në kryeqytet, del të jetë një testim pa rezultat të qartë dhe në fakt me ndikim negativ. Të tilla testime, kur nuk janë të mirëmenduara e planifikuara rrezikojnë legjitimitetin e veprimeve të ardhshme për mobilitetin urban. Edhe pse qëllimi i deklaruar, del të jetë ambiental, tollovia e shkaktuar nuk i shërben kësaj. Aq më tepër, kur rritja e qëndrimit në rrugë (kolona) rrit ndjeshëm ndotjen, e dihet se një ditë e zakonshme gjatë vikendit, bllokada dhe frekuenca është ndjeshëm më e ulët. Ky veprim, e të tilla duhet anuluar menjëherë nga Kryetari Rama, në mënyrë që t’u hapet rrugë veprimeve të planifikuara mirë”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social në Facebook. /Telegrafi/