Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka theksuar se duhet të arrihet një konsensus i gjerë për pakon e ligjeve të reformës së administratës shtetërore.
Ai këto komente i ka bërë në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën ‘Strukturimi i të pa strukturës. Si ta zvogëlojmë strukturën qeveritare’.
“Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), me temën ‘Strukturimi i të pa strukturës. Si ta zvogëlojmë strukturën qeveritare’, fola për reformat e ndërmarra dhe domosdoshmërinë e konsensusit politik dhe shoqërorë për këto çështje. Ndër të tjera theksova se kur tashmë si vend kemi nisur dekadën e dytë të shtetësisë, është jo vetëm e nevojshme por e domosdoshme që të arrijmë konsensus për disa drejtime që duhet t’i japim vendit. Ndër to është edhe Pakoja e Ligjeve të Reformës së Administratës Shtetërore dhe Ligji për Qeverinë.” ka theksuar Tahiri.
Por ai rëndësi të veçante i ka kushtuar ligjit për Qeverinë.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Tahirit në profilin e tij në Facebook:
Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), me temën ‘Strukturimi i të pa strukturës. Si ta zvogëlojmë strukturën qeveritare’, fola për reformat e ndërmarra dhe domosdoshmërinë e konsensusit politik dhe shoqërorë për këto çështje. Ndër të tjera theksova se kur tashmë si vend kemi nisur dekadën e dytë të shtetësisë, është jo vetëm e nevojshme por e domosdoshme që të arrijmë konsensus për disa drejtime që duhet t’i japim vendit. Ndër to është edhe Pakoja e Ligjeve të Reformës së Administratës Shtetërore dhe Ligji për Qeverinë.
Struktura institucionale ka kaluar në disa faza të tranzicionit; e para vitet e 90’ta kur ka pasur një përjashtim nga institucionet, moment ky i lidhur me promovimin e parimeve të qeverisjes së mirë; e dyta me vendosjen e administratës së UNMIK-ut; e treta bartja e kompetencave deri në 2008; dhe e katërta momenti nga shpallja e pavarësisë bazuar parimet e pakos së presidentit Ahtisaari të vendosura në Kushtetutë.
Pra, i gjithë procesi i ndërtimit institucional dhe strukturave qeverisëse ka qenë i ndërlidhur me procese politike dhe vet shtetësinë. Tashmë, dhjetë vite pas, institucionet e Kosovës ende funksionojnë me procedura të adaptuara dhe me sistem të fragmentuar. Kalimi i pakos së Ligjeve të Administratës Shtetërore; Ligjit për Qeverinë dhe procesi i racionalizimit të agjencive (të Kuvendit apo Qeverisë) është proces që përtej ekspertizës kërkon konsensus dhe vizion të përbashkët.
Këto procese, drejtohen nga Qeveria por janë çështje që lidhen me çfarë forme (themelesh) po i vendosim si vend dhe shoqëri ndërtimit institucional në të gjitha nivelet. Specifikisht sa i përket Ligjit për Qeverinë, theksova domosdoshmërinë për të rregulluar jo vetëm strukturën, por edhe fushëveprimin. Institucionet e Kosovës, ende funksionojnë me rregullore të administratës së përkohshme të UNMIK-ut.
Proceset, e nisura me Projektligjin për Qeverinë në 2009 dhe pakon e Ligjeve të Reformës së Administratës Shtetërore në 2012, duhet t’u japim drejtim: I pari është në fazën finale, në grupin punues ndër-ministror ku janë disa çështje që duhet trajtuar në raport me ndërtimin Kushtetues dhe atë funksional, por është i domosdoshëm një saktësim apo mos të themi sanksionim i strukturave dhe po ashtu definimit të fushë-veprimit. E dyta, ndërlidhet me pakon e Ligjeve të Reformës së Administratës Shtetërore që është përcjellë për herë të parë në Kuvend, si instrument kyç për të shmangur krijimin e strukturave ad-hoc dhe për të vendosur hierarki dhe strukturë të qartë institucionale, kjo duke reflektuar edhe në një sistem unik të pagave.
Pra, procesi ka dy dimensione: i pari është konsensusi dhe pronësia vendore në ndërtimin institucional dhe e dyta në ekspertizën që nuk ka munguar.
Presim, që gjithë akterët, qofshin ata institucionalë, politikë apo shoqëria civile dhe media që të mos kursejnë kontributin në mënyrë që ti japim vendit një konstrukt institucional të qëndrueshëm si përgjigjja më e mirë ndaj sfidave të brendshme dhe synimeve integruese.
E për këtë, në proceset integruese është e nevojshme njohja e rezultateve në mënyrë që reformat të reflektojnë në jetën e qytetarëve dhe të marrin mbështetjen e tyre. Në të kundërtën, pavarësisht nevojës së brendshme dhe vullnetit institucional reformat do të shihen me skepticizëm nga qytetarët. /Telegrafi/