Site icon Telegrafi

Tahiri: Jonuz Musliu, veprimtari që e sfidoi regjimin e Millosheviqit deri në shembje

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore, në dyvjetorin e vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Jonuz Musliu.

Ai me këtë rast tha se veprimtari Musliu ishte një idealist i pashuar, që ishte angazhuar me gjithë qenien, me të vetmin qëllim avancimin dhe përmirësimin e të drejtave politike, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.

“Për shkak të këtij përkushtimi heroik, Jonuz Musliu, nuk mund të kalonte pa u vënë në shënjestër të regjimit të Millosheviqit, në shënjestër të cenimit, burgimit e pengesave të një pas njëshme, përballë të cilave nuk u dorëzua asnjëherë”, tha Tahiri.

Ministri Tahiri, gjatë kësaj akademie tha se veprimtari Musliu, ishte i angazhuar kundër regjimit diktatorial të Millosheviqit, në aktivitete politike kudo dhe në secilën rrethanë kur shfaqej një shpresë për liri e barazi.

“Që në referendumin e marsit të vitit 1992, për të vazhduar pareshtur deri te radhët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku kulmoi si një ndër përfaqësuesit më të spikatur të saj. Ai padyshim se ishte një prej njerëzve të dalluar të kauzës tonë kombëtare që e sfidoi regjimin e Millosheviqit deri në shembje”, u shpreh Tahiri.

Para të pranishmëve, ministri Tahiri tha se Kosova dhe Lugina kanë qenë i njëjti burim identiteti dhe këtë unitet sipas tij e kanë ruajtur e kultivuar veprimtarët si Jonuz Musliu.

“Kosova dhe Lugina, historikisht kanë qenë e janë edhe sot e kësaj dite, pjesë të të njëjtit burim identiteti. Janë pjesë e të njëjtit ideal. Të të njëjtës sferë politike e kulturore. Dhe këtë unitet, e kanë ruajtur e kultivuar pikërisht njerëzit si Jonuzi”, theksoi Tahiri.

Krejt në fund, ministri Tahiri tha se Jonuz Musliu, me veprimtarinë e tij aktive politike dhe përpjekjen konstante, do të mbetet një shembull i përhershëm në kujtesën tonë kolektive dhe inspirim për gjeneratat e reja./kp/

Exit mobile version