Telegrafi

Tahiri: Institucionet e Kosovës shumë shpejt fillojnë punën në veri

Gjykata Themelore, një zyre e prokurorit, mbi 23 ministri dhe agjencione, të cila nuk kanë vepruar që nga përfundimi i luftës në veri të Mitrovicës, së shpejti do të vendosën dhe do të fillojnë së funksionuari edhe veri të vendit.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, ministrja Edita Tahiri.

Ajo ka treguar edhe për pengesën që Serbia po i bënë kryetarit të Komunës së Mitrovicës në pjesën veriore, duke mos e lejuar të nënshkruajë memorandumin e mirëkuptimit me Ministrinë e Planifikimit Hapësinorë dhe me kryetarin e Komunës të Mitrovicës jugore, ku konfirmohet që vija administrative mes dy komunave është sipas ligjit të Kosovës, përkatësisht të planit të Ahtisarit

“Kemi shuarjen e policisë paralele, strukturat e drejtësisë paralele, pastaj mbrojtja civile është shujtuar dhe tani kemi procesin e integrimit dhe punësimit të këtyre persona në institucionet e Republikës së Kosovës. Së shpejti fillon Gjykata Themelore të veproj në Mitrovicë për shtatë komuna, një zyre prokurorie që praktikisht mundëson, shtrirjen e sistemit unitarë të drejtësisë edhe në veri të vendit që nuk e kemi pasur që nga paslufta. Pastaj, kemi policinë, e cila tashmë është nën komandën e Policisë së Kosovës e integruar. Individët që janë punësuar në polici, punojnë me ligjet e Kosovës. Me integrimin që po e përfundojmë të këtyre personave të ish-mbrojtjes civile, ne do të shtrijmë mbi 23 ministri dhe Agjencione edhe në pjesën veriore të vendit që nuk e kemi pasur për shumë vite. Këto janë rezultate konkrete të këtij dialogu , ku edhe Serbia ka bashkëpunuar, faktin që i ka respektuar”, tha Tahiri.

Sa i përket barrikadës mbi urën e Ibrit, ajo ka thënë se janë duke pritur qëndrim nga delegacioni i Bashkimit Evropian (BE), si ndërmjetësues se çfarë hapa do t’i marrin tutje.

“Në rastin e heqjes së barrikadës dhe ri-vitalizmit të urës, që ka qenë kompetencë e BE-së që të realizoj këtë çështje. Pengesa kryesore është që pikërisht Serbia e bllokon kryetarin e Komunës së Mitrovicës veriore, që të nënshkruaj marrëveshjen apo memorandumin e mirëkuptimit me Ministrinë e Planifikimit Hapësinorë dhe me kryetarin e Komunës të Mitrovicës jugore, i cili memorandum e konfirmon që vija administrative mes dy komunave është sipas ligjit të Kosovës, përkatësisht të planit të Ahtisarit, me të cilën zonat katastrale qartë e definojnë që fshati Sohodoll i takon komunës jugore, ndërsa, Kroi i Vitakut do të jetë nën administrimin e Mitrovicës veriore”, tha Tahiri.

Ndërsa, sa i përket marrëveshjeve të cilat Serbia ende nuk po i zbaton, Tahiri, tha se BE vazhdimisht po i bënë presion Serbisë, mirëpo rezultatet ende nuk po i shohin.

“Unë mendoj se atyre u mungon vullneti politik për të zbatuar marrëveshjet sepse kjo nuk është e re, por tani po flasim për këto temat siç janë kodi telefonik, KOST, heqja e barrikadës dhe pasi të përfundojnë këto do të fillojnë edhe proceset tjera. Ne kemi thënë se asnjë veprim nuk e marrim për zbatimin e Asociacionit para se të përfundojnë këto tre të tjerat“, tha Tahiri.