Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se Vetëvendosje duhet të rreshtohet pas Vjosa Osmanit në zgjedhjet parlamentare.
Pas takimit që sot kanë pasur Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri me Albin Kurtin, Tahiri ka thënë se pavarësisht se nuk ka informacione nga takimi, “është rast historik që Vetëvendosje të bashkohet dhe të rreshtohet pas Vjosa Osmanit si politikania më konsistente në skenën politike të Kosovës për nga qëndrimet e saj”.
Tahiri në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka shtuar më tej se me kandidimin e Osmanit për kryeministre, çdo prindi që ka vajzë i është dhënë shpresë.
Ai ka thënë se shembullin e LDK-së duhet ta ndjekin edhe subjektet tjera politike, përcjell Telegrafi.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka thënë se koalicionet e deritashme që janë bërë në Kosovë janë “koalicione për mbijetesë, jo për të fituar zgjedhjet”.
Tahiri ka treguar se LDK-ja është e gatshme të ofrojë Vetëvendosjen në koalicion nëse këta të fundit “janë të gatshëm të pranojnë Vjosa Osmanin si kandidate të përbashkët për kryeministre”. /Telegrafi/