Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kritikuar Qeverinë pasi kjo e fundit po mban sekret.
Tahiri në Kuvendin e Kosovës thotë se Kurti ashtu siç e mori e pari vaksinën në mënyrë simbolike është adhur të veprojë edhe me Fondin e Sigurisë.
“Pas themelimit të Fondit, Kurti do të duhej në mënyrë simbolike bashkë me kabinetin të jepte i pari pagën e prillit në mënyrë simbolike. Edhe nga mazhoranca do të duhej të kishte një angazhim më të madh për të mobilizuar popullin dhe për të dhënë vet nga një pagë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
“Ju çfarë vepruat. Shkuat edhe më keq. E bëtë fondin sekret”.
Ai thotë se ky fond do të duhej të ishte fondi i krenarisë dhe të gjithë ata që kanë dhënë aq sa kanë pasur mundësi të ndjehen krenarë.
Tahiri thotë se Fondi i Sigurisë është iniciativë për të mbuluar dështimin në lidhje me keqpërdorimet në energjetikë.
“Sot kur kanë kaluar rreth 75 ditë ju keni dështuar me këtë fond. Unë vë bast që nëse ju keni grumbulluar më shumë se 2 milionë euro deri më sot, unë lë mandatin e deputetit. Ju as 2 milionë euro nuk keni mundur t’i grumbulloni”, deklaroi tutje Tahiri./Telegrafi/