Telegrafi

Tahiri i drejtohet me 10 pyetje Qeverisë Kurti, thotë se janë çështje që u interesojnë qytetarëve

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë disa kritika ndaj qeverisë Kurti.

Sipas Tahirit, qeveria nuk po përgjigjet në 10 pyetje që u interesojnë qytetarëve, transmeton Telegrafi.

Në reagimin e bërë në Facebook, ai ka ngritur disa çështje, që sipas tij qeveria nuk po jep përgjigje.

“1. Pse nuk përfundoi rruga Prishtinë – Podujevë, meqë ishte premtuar se do të kryhej në fillim të vitit 2023? 2. Kur pritet të përfundojë rruga Prishtinë – Gjakovë? 3. Kur dhe a do të përfundojnë ndonjëherë punimet në aksin Prishtinë – Mitrovicë? 4. Kur përfundon autostrada për Gjilan”, thotë Tahiri.

Tutje, ai ka përmendur çështjen e pagave të minatorëve, rritjen e pagave e tema tjera.

“5. Pse nuk po i marrin pagat minatorët dhe pse po luhet me dinjitetin dhe mirëqenien e tyre? 6. Çfarë ndodhi me rregullimin e Sigurimit Shëndetësor? 7. Pse nuk ka rritje pagash? 8. Pensionet deri kur do t’i mbani në nivel të asistencës sociale?”, shton ai.

Tahiri po ashtu ka pyetur se pse nuk ka ndonjë sqarim se çfarë ka ndodhur me njohjet e reja për Kosovën dhe anëtarësimin në KiE.

“9. Çfarë keni për të thënë për skandalin me lobim dhe kur do të kemi ndonjë njohje të re? 10. Pse dështuan në shfrytëzimin e momentit për anëtarësim në Këshillin e Evropës? Po urën e Ibrit kur do ta hapeni, apo jeni të zënë duke bërë filma në Ujman dhe me lojëra pa krip me manipulimin me diasporë?”, përfundon reagimi i tij./Telegrafi/