Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se qëllimi i dialogut me Serbinë në Bruksel, është njohja reciproke e shtetësisë së njëra-tjetrës.
Në një tryezë diskutuese të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, Tahiri është shprehur se me dialog është arritur shumëçka, e edhe shpërbërja e strukturave paralele serbe që vepronin në Kosovë.
“Nuk e mbaj mend që në Kosovë ka pasur protesta për shpërbërjen e strukturave paralele. Në vitin 2011-të ka filluar dialogu i Brukselit dhe ne në temat kryesore kemi vënë zhbërjen e strukturave paralele në të gjitha fushat, mospendimin nga Serbia që serbët të marrin pjesë dhe të integrohen në sistemin shtetëror të Kosovës.
Tahiri ka thënë po ashtu, se ekipi negoicues i Kosovë në Bruksel, po i kërkon Serbisë ta largojë shtetin kosovar nga kushtetuta e vet.
“Ua kemi bërë të qartë serbëve, se thelbi i normalizimit është njohja reciproke e njëra tjetrës. Me dialogun në Bruksel, po kërkojmë që Serbia ta ndryshojë kushtetutën dhe ta largojë Kosovën si territor të sajin”, ka deklaruar Tahiri, raporton Klan Kosova.