Telegrafi

Tahiri: Deputetët e shumicës të bëjnë presion për emërimin e ministrit të Shëndetësisë

Shefi i Grupit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga deputetët e shumicës që të bëjnë presion te qeveria për të emëruar ministrin e Shëndetësisë.

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet mbi situatën në sektorin e shëndetësisë, Tahiri ka kritikuar qeverinë siç ka thënë ai për mos punë në këtë sektor.

“Kolegë deputetë ju keni përgjegjësi me ushtru presion që ky ministër me u emëru, përgjegjësia me qenë e qartë, kush e ka përgjegjësinë. A po e shihni sot, nuk po kemi me kënd me fol, po flasim vet me veti, nuk po kemi me kënd me fol, dhe shumicën e rasteve i shohim deputetët e shumicës duke u përqesh. Mirë është shumë, por mendoj ata që janë duke shkuar në klinika private, ata kanë me ju përqesh pak më shumë juve, ata që po i bëjnë shpenzimet në klinika private, në Maqedoni, Shqipëri, Serbi e Turqi, ata në fund të ditës kanë me ua adresu këtë përgjegjësi”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kritikuar qeverinë duke përmendur listat e pritjes së pacientëve derisa ka thënë se në kohën kur ministri i PDK-së e ka përfunduar mandatin, lista e pritjes në klinikën e kardiokirurgjisë invazive ka qenë zero ndërsa sot është 2 mijë.

“Unë ju ftoj me pa çështjen në klinikën e kardiokirurgjisë invazive. Kur e kemi dorëzuar qeverinë ose më saktësisht kur e ka dorëzuar detyrën e ministrit të shëndetësisë ministri nga Partia Demokratike, zotëri Uran Ismaili lista e pritjes së qytetarëve të Kosovës për stenta ka qenë zero. Pra për një periudhë që në 2017 kanë qenë me mijëra në listë, në fund të vitit 2019 lista e pritjes ka qenë zero, qytetarët kanë marrë shërbim brenda ditës, pra po flasim për një shërbim mjaft të kushtueshëm për qytetarët e Kosovës që është stenta… Aktualisht lista e pritjes së qytetarëve të Kosovës për stenta është rreth 2 mijë”, ka thënë Tahiri. /kp/