I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Drejtësisë, njëherësh anëtar i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ndaj deklaratës së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se nuk ka gjasa “të arnohet qeveria aktuale” më një koalicion PDK-LDK
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se thënë që kur është demokracia në Kosovë, Mustafa është mësuar me humbjen e zgjedhjeve.
“’Arnimi i qeverisë’ me PDK-në është ëndrra që Isa Mustafa e sheh çdo natë, por zgjedhjet që po na presin, do t’ia shkundin edhe këtë ëndërr”, ka thënë Tahiri.
Postimi i plotë i Tahirit:
“Që kur ka arritur demokracia, Isa Mustafa është mësuar me humbjen e zgjedhjeve. Këto që janë në prag, s’janë asgjë tjetër veçse zgjedhjet e katërta me radhë që do t’i humbë si Kryetar i LDK-së.
Paniku për t’i ikur realitetit që e pret, po ia shpërfytyron racionalitetin, duke e marrë PDK-në si referencë. Isa Mustafa dhe LDK-ja në tërësi, duhet ta kuptojnë që ka jetë edhe pa PDK-në dhe nuk është nevoja që të kapen pas PDK-së pafundësisht.
“Arnimi i qeverisë” me PDK-në është ëndrra që Isa Mustafa e sheh çdo natë, por zgjedhjet që po na presin, do t’ia shkundin edhe këtë ëndërr”, ka shkruar Tahiri.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke komentuar zërat për vazhdimin e mandatit të qeverisë aktuale, përmes një qeverie me PDK-në, ka thënë se për LDK-në “kësaj pune i ka dekë nëna”. “Të mos i maltretojmë qytetarët me teori konspirative, por t’i ftojmë të bëhemi gati për zgjedhjet e shtatorit”, ka thënë ai. /Telegrafi/