Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka komentuar raportin e progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian.
Tahiri ka thënë se qeveria e fjalëve të mëdha u vlerësua për dështime të mëdha.
“Institucionet e Republikës së Kosovës pranuan vlerësimin e Bashkimit Evropian. Kjo qeveri e fjalëve të mëdha, është vlerësuar për dështime të mëdha”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.
Postimi i plotë:
Qeveria e regresit, politizimit, dështimit dhe paaftësisë.
E thotë Bashkimi Evropian!
Institucionet e Republikës së Kosovës pranuan vlerësimin e Bashkimit Evropian. Kjo qeveri e fjalëve të mëdha, është vlerësuar për dështime të mëdha. Nga një analizë fillestare në kuadër të Aleancës, e përmbajtjes së këtij vlerësimi, por edhe e aspektit kualitativ dhe të formulimit, tregon se ky raport përdorë termin ‘Progres’ rreth 205, me këto kualifikime:
32 herë theksohet se ka mungesë progresi;
49 herë theksohet se ka progres të mangët;
59 herë theksohet se ka njëfarë progresi;
42 herë theksohet se është bërë progres;
15 herë në aspekte tjera;
Dhe, vetëm 8 herë theksohet se ka progres të mirë.
Për Bashkimin Evropian, shqetësues mbetet fakti, që disa ligje vitale janë miratuar përmes procedurës së përshpejtuar, pa marrë në konsideratë nevojën për konsensus. Kjo, siç kemi tërhequr vëmendjen, gjithnjë si Aleancë, ka rezultuar me ligje të dobta dhe që nuk i përshtaten nevojave dhe kërkesave të kohës. Nisur nga ky sfond, të njëjtat ligje me të drejtë janë sfiduar në Gjykatën Kushtetuese. Për BE-në, mungesa e vullnetit për konsensus dhe praktikimi i procedurës së përshpejtuar, është defekt dhe dështim demokratik.
Kur jemi te dështimi spektakolar ekonomik dhe social i kësaj qeverie, i cili po shoqërohet me ikje në masë të të rinjve, Raporti nënvizon performancë të dobët ekonomike, si rezultat i mungesës së investimeve, gjë që shoqërohet me inflacion të lartë dyshifror, dhe me mungesë të një qasje që ndërlidhë tregun e punës me nevojat ekonomike. Kësaj i shtohet edhe mungesa e ndërtimit të shkathtësive të nevojshme për një ekonomi vibrante dhe në presion të konkurrueshmërisë. Një element me rëndësi është edhe mungesa e fuqizimit të një sistemi të mirëfilltë të shpenzimeve shumëvjeçare, diçka që në kombinim me polaritetin dhe qasjen përjashtuese të komunave, që nuk i ka në qeverisje partia – qeveri, partia – shtet, i shërben përhapjes së efekteve negative ekonomike edhe në nivel lokal.
Kur jemi te adminstrata publike, aty ku kjo qeveri ka dëshirë t’i rrasë duart për politizim kontaminues, vlen që publikut t’i sillet në vëmendje ajo çfarë vazhdimisht kemi thënë, që kjo Qeveri nuk ka ecur asnjë hap në fuqizimin e agjencive të pavaruara, dhe as në avancimin e punës së tyre të bazuar në ndërtimin e indikatorve të performancës. Vlerësimi e thotë me një gjuhë të matur, ajo që ne e dimë që kjo Qeveri me vendime, masa dhe legjislacion ad hoc, i ka kontribuar përhapjes së kaosit dhe konfuzionit rregullativ, i cili jo vetëm që nuk mundëson rekrutimin e bazuar në meritë, por nuk lejon as sistematizim meritor. Për pasojë kemi pasiguri të madhe ligjore në mesin e nëpunësve publikë. Abuzim dhe politizim të sistemit përmes ushtrimit të përhapur të emërimit të ushtruesve të detyrës.
Sipas vlerësimit të Komisionit, kjo ka ndikuar në dobësimin e cilësisë dhe performancës së administratës publike. Po ashtu, theksohet edhe në kritikën që i është bërë ligjit anti-kushtetues mbi emërimet e larta fikse në poste menaxheriale, të cilat dihet që kanë pasur për qëllim instalimin e vendimmarrjes partiake, pra politizimit të administratës me dëme afatgjata të agjendës shtetërore. Kur kësaj, gjithnjë sipas raportit, i shtohet fakti që drejtësia administrative nuk është në nivelin e duhur dhe ka vonesa në trajtimin e rasteve, kjo e lë tërësisht të ekspozuar dhe në mëshirën e vendimmarrjes aribtrare dhe në kundërshtim me ligjet, nga ana e Qeverisë. Kur është fjala për përparimet në ofrimin e shërbimeve përmes një sistemi të e-qeverisjes, nga ana e kësaj qeverie, sipas vlerësimit, ne jemi shumë larg.
Në lidhje me trumbetimin për reforma në drejtësi, kjo Qeveri në vend që të investojë në forcimin e integritetit, efikasitetit dhe llogaridhënies brenda sistemit të drejtësisë, është përkujdesur që kjo të jetë në raport me qeverinë, të kujtojmë këtu uljen e pagave dhe mos dekretimin e kryeprokurorit. Për rrjedhojë, në vend që energjitë të fokusoheshin në uljen e rasteve të grumbulluara, për të cilat flet raporti, kemi humbje të energjive në përplasjen e Qeverisë me gjyqësorin, me qëllim subordinimin e tij.
Me këtë Qeveri, shlirë, mund ta harrojmë anëtarësimin në BE! Ndoshta energjitë janë shterrur, duke ikur nga disa tema në të cilat kjo Qeveri nuk ka guxim as lidership!
Si konkluzion, ky Raport në historinë e post-pavarësisë është me negativi për Kosovën. /Telegrafi/