Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi në një konferencë për shtyp se, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është demaskuar në mënyrë të hapur në mbrojtje të një gjyqtari që ka liruar vrasës.
“Gjyqtari Arjan Aliaj që dha vendimin ndaj Çakos nuk ishte gjyqtar i gatshëm dhe nuk duhej të merrte në shqyrtimin e çështjes. Gjyqtari i gatshëm ishte Adriatik Goce. Shorti është mënjanuar dhe këtë çështje e mori përsipër gjyqtari Arjan Aliaj”, tha Tahiri.
Sipas tij, faktet hedhin dritë mbi një skandal.
“Pyes Fatri Islamin, kryetarin e Gjykatës së Tiranës, që njihet për lidhje personale me Sali Berishën. Për cilën arsye u mënjanua shorti dhe u shkel rregulli? Për cilën arsye u kap jashtë rregulli dhe jashtë shorti gjyqtari Arjan Aliaj?”, tha Tahiri.
Ministri i Brendshëm tha se, “fronti i së keqes që sot mban peng drejtësinë mundohet të mbajë peng Shqipërinë”.
“Kryetari i Gjykatës së Tiranës ka detyrim të shpjegojë për cilën arsye u shkel ligji. Ne jemi të vendosur të çojmë përpara reformën në drejtësi”, u shpreh ministri Tahiri.
Sot është zbuluar edhe vendimi i gjykatës së Tiranës për pezullimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Vendimi i gjyqtarit Arjan Aliaj është marrë më 6 qershor, në bazë të kërkesës së prokurorisë. Në të përcaktohet se Çako pezullohet, jo vetëm nga detyra e kreut të policisë, por edhe “nga çdo detyrë tjetër publike apo shtetërore e mundshme, deri në përfundimin e hetimeve”.