Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës janë në faj pasi nuk kanë se si e mbrojnë një skandal korruptiv.
Tahiri gjatë seancës së jashtëzakonshme e cila është thirrur nga opozita për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se kjo qeveri nuk mund të dal e të ballafaqohet, pasi siç u shpreh “Nuk kanë argumente”.
“Nuk kanë mundësi me e mbrojte një marre që e ka kaplu Kosovën me rastin e ushqimit dhe nuk kanë mundësi me e fsheh bashkëpunimin sekret, konfidencial me të cilën kanë qenë në mburrje që nuk kanë koalicion me Listën Serbe…Nuk mundet me dal në ballë me u ballafaqu sepse nuk kanë argumente. Kjo qeveri do të ikë më 9 shkurt. Do të ikë njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Tahiri.
Ai foli edhe për mesazhet që janë publikuar në mes të koordinatores së VV-së, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
“Struktura joformale të cilat nuk kanë asnjë rol në Qeveri të Kosovës, nuk kanë funksione publike, sot vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës. A kuptoni se përmes një pazari negocimi mundohet që paraja publike dhe korrupsioni të instalohet si e mirë publike.
A kuptoni që të gjitha veprimet e njëpasnjëshme që ne i kemi diskutu këtu e që po diskutohen në diskursin publik janë duke shpërfaqë dy konkluzione: kjo qeveri ka ardhë në pushtet me mashtrim. Para katër vitesh ka dhënë platformë politike vetëm për me marrë besimin, e atë besim mos me e kthy në të mirë publike të shtetit por me e kthy në të mirë partiake të njerëzve që nuk kanë funksione sikurse që është koordinatorja e VV-së.
Ka një aktakuzë që thotë bardhë edhe zi, për një temë që do të duhej të ishte temë transparence e diskutimit në qeveri e jo e diskutimit në zyre e në kafe. A e kuptoni që Kosova ka ardhur në një stad ku diskutojnë struktura joformale edhe kur duhet me u ndal rryma, e kur duhet me u lëshu rryma”, tha ai. /Telegrafi/