Site icon Telegrafi

Tahiri i AAK-së: Administrata shtetërore në bllokadë

Shefi i Grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se administrata shtetërore është në bllokadë.

Tahiri ka thënë se vendimet që i marrin personat zyrtarë që janë me pozitë ushtrues detyre mund të kontestohen nga institucionet juridike dhe të konsiderohen antiligjore, sipas Ligjit Për Zyrtarët Publik.

“Kohëzgjatjen e funksionit e kufizon ligji, rrjedhimisht nuk ekziston mundësia që me akt nënligjor, siç është vendimi për zgjatje mandati, përtej atij që është shprehimisht i përcaktuar në ligj.

Andaj, të gjitha vendimet që nënshkruhen nga Ushtruesit e Detyrës të cilët janë në funksion mbi një vit, mund të konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të mos prodhojnë asnjë efekt juridik ndaj palëve.

Unë nuk kam asgjë kundër emrave të përveçëm që i bartin këto funksione, por kjo praktikë e shkatërron shërbimin civil duke partizuar e politizuar administratën shtetërore, duke e vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e akteve që nënshkruhen nga këta ushtrues detyre”, shkruan ai.

Ai tutje thekson se urgjentisht, duhet interpretim nga ministria e linjës, pra MPB, në të kundërtën shteti bie në bllokadë. /Telegrafi/

Exit mobile version