Ish-presidenti i Serbisë në dy mandate dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiq, ka folur për videon propagandistike të Partisë Radikale Serbe, e cila pushton privatësinë e familjes së politikanes serbe të Kosovës, Rada Trajkoviq, në përpjekje për ta diskredituar dhe fëmijët e saj, se regjimi i Aleksandër Vuçiqit e ktheu Serbinë në kohën e Seshelit, ku u vra kryeministri i parë i Serbisë i zgjedhur në mënyrë demokratike, Zoran Gjingjiq.
Ky njoftim i “Asociacionit të Shërbimit Informativ Radikal Laufer (RIS LAUFER)” është publikuar në kanalin YouTube të presidentit të radikalëve, Vojislav Sheshel, partia e të cilit para disa ditësh ka njoftuar regjistrimin e këtij “shërbimi informativ”, mësoi Danas.
Në një komunikatë për media, radikalët thonë se po japin “informacione interesante për Aleksandra Trajkoviq Knap”, vajzën e Rada Trajkoviqit, duke u dhënë atyre ekskluzivitet të supozuar me shënimin se ata “nuk janë plotësisht të disponueshëm publikisht”.
Radikalët shkruajnë se ku dyshohet se është e punësuar vajza e kësaj politikane, e cila tashmë është vënë në shënjestër edhe nga Shesheli, edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e quajti atë, së fundmi këshilltare në Qeverinë e Kosovës, “llumrat më të këqija serbe”. Por radikalët kanë të bëjnë edhe me vajzën e saj të dytë, Biljanan dhe djalin, Dejanin, e përflitet edhe për lidhjet e tyre të pretenduara ndërkombëtare.
Kujtojmë se këshilltarja e ministrit të Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq është ndaluar të enjten në vendkalimin në Merdare, teksa po kthehej nga Kosova, ku pati një takim me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier. Ajo është mbajtur mbi 20 orë në kufi nga MPB-ja e Serbisë dhe për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore me autoambulancë është transferuar në Prokuple, prej nga është dërguar për tretman shtëpiak.
Ky ishte ndalimi i dytë i Trajkoviqit, duke pasur parasysh se ajo ishte ndaluar në të njëjtin vendkalim një ditë më parë, kur ishte duke shkuar në Prishtinë për një takim me ambasadorin amerikan.
“Regjimi i Vuçiqit na riktheu në kohën e “lauferëve” të Sheshelit ku u vra Zoran Gjingjiq. Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, po vazhdon e njëjta metodologji e shënjestrimit të kundërshtarëve politikë. Së pari, pa asnjë sanksion, Shesheli praktikisht në media pro regjimit e ka paralajmëruar vrasjen e Rada Trajkoviqit, ndërsa tani partia e tij ka në shënjestër direkt edhe fëmijët e saj”, deklaroi ai me këtë rast për Danas.
Ish-presidenti i Serbisë shton se gjatë gjithë viteve të kaluara ka paralajmëruar se ideologjia e Sheshelit është në pushtet në Serbi. Sipas Tadiqit, kjo ideologji është e përfaqësuar në qeveri më shumë se Vuçiqi apo ndonjë individ tjetër, të cilët, sipas tij, janë vetëm pasues të asaj “ideologjie monstruoze”.
“Qytetarët duhet ta kuptojnë se ajo që po i bëhet Rada Trajkoviqit dhe familjes së saj po u bëhet të gjithë qytetarëve të Serbisë, sepse regjimi që e kryen këtë torturë është regjimi që udhëheq jetën e të gjithë qytetarëve. Këtu nuk bëhet fjalë për luftë politike, por për qytetërim, prandaj duhet ta kundërshtojmë këtë çmenduri të gjithë së bashku dhe me të gjitha mjetet. Në një vend ku institucionet janë të okupuara, jeta dhe siguria e disidentëve të regjimit duhet të mbrohet nga publiku dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të gjithë të ngremë zërin tonë”, përfundoi Tadiq. /Telegrafi/