Një “Magdalenë e penduar”, tablo e Salait, bashkëpunëtorit më të afërt të Leonardo da Vincit, u zbulua së fundi dhe do të nxirret në ankand më 18 nëntor nga shtëpia e ankandeve ”Artcurial”.
”Kishim dijeni vetëm për katër apo pesë tablo të vërtetuara se ishin nga dora e Salait, si ‘Krishti Shëlbyes’, e ruajtur në Muzeun Ambrozian të Milanos, të tjerat ishin në duart e privatëve”, tha në nga ”Artcurial”.
Gian Giacomo Caprotti, i ashtuquajtur Salai (1480-1524), ka qenë miku më i afërt i Leonardo Da Vinçit, nxënësi i tij, modeli, arkëtari, agjenti dhe i dashuri. Mjeshtri i Rilindjes do t’i jepte pseudonimin “Salai” – sinonim i “djallit të vogël” – për shkak të gënjeshtrave të tij të pakuptimta dhe vjedhjeve të vogla.
“Kjo tablo del vërtet nga nata. Pronari i saj, i cili e bleu atë për një shumë modeste, na e besoi për shitje. Ajo arriti tek ne pa atribut. Ishte Cristina Geddo (eksperte e njohur për periudhën e shekullit të XV), që duke ardhur nga Milano na zbuloi se ishte nga Salai”, theksoi eksperti i veprave të vjetra, Eric Turquin.
Me përmasa 65 centimetra dhe 50 centimetra, tabloja është në gjendje të mirë, por duhet të pastrohet pasi llaku që e mbulon atë është pjesërisht i ndotur dhe i oksiduar.
“Maria Magdalena” përfaqësohet në një sfond të zi, sytë e saj të ngritur në ekstazë dhe krahët e kryqëzuara. Trupi i zhveshur dhe i hollë është pjesërisht i mbuluar nga flokë të bollshëm të kafe të artë, një karakteristikë e gjetur në Krishtin e Milanos. Karakteri është i paqartë, midis të shenjtës dhe profanes. Buzët janë të plota dhe sensuale.
“Gjetëm gjurmët e gishtërinjve. Piktori ka shtypur gishtin e madh mbi bojën e freskët, e cila është karakteristikë e teknikës së Leonardo Da Vincit dhe Salait”, shpjegoi Eric Turquin. “Puna tregon një njohuri të përsosur të sfumatos leonardeske. Dhe, një karakteristikë tjetër është një vijë e bardhë që shënon qepallën e poshtme, duke dhënë një lloj fortësie që nënvizon syrin… Për më shumë se 25 vjet pranë Leonardos, Salai ka mundur të asimilojë teknikën fine të mjeshtrit, duke u pozicionuar si një prej promovuesve më me ndikim të modeleve të Leonardos përmes prodhimit të kopjeve dhe variacioneve të kryeveprave të tij”.
Tabloja është vlerësuar mes 100-150 mijë euro.