Site icon Telegrafi

Tabelat nga koha e Hoxhës ende prezente në Maqedoni (Video)

Për autoritet e Maqedonisë, Shqipëria edhe më tej mbetet Republika Popullore e Shqipërisë. Në vendkalimin kufitar Shën Naum, disa tabela rrugore ende nuk janë ndërruar dhe mbajnë mbishkrimet e kohës së komunizmit. Pavarësisht se Alsat M që para një viti njoftoi për një situatë të tillë, institucionet kompetente nuk kanë denjuar ende të përmirësojnë gabimin.

“Me siguri janë harruar dhe me protokoll nuk janë ndërruar. Duhet të ndërrohen, të gjithë e dimë se duhet të ndërrohen si respekt ndaj shtetit fqinj. Nëse kemi nga Shqipëria respekt ku shkruan Republika e Maqedonisë, që nesër duhet të ndërrohet shenja. Pyesin dhe qeshin me shenjën. Në Qafë Thanë shkruan Qafë Thanë me “q” edhe me shkrim latin edhe cirilik dhe kjo është qesharake”, tha për Alsat-M Lupço Juzmeski, ciceron turistik nga Ohri.

Edhe pse Shqipëria prej disa vitesh tashmë është anëtare e NATO-s ndërkohë që periudha e Enver Hoxhës ka përfunduar para disa dekadash, për Maqedoninë siç duket ka ndaluar koha në këtë vendkalim kufitar. Përveç ndërrimit të tabelave, agjencitë turistike kërkojnë edhe riparimin e rrugës ndërkombëtarë që çon drejt kufirit shqiptar e cila është në gjendje të keqe.

Exit mobile version