Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku ka folur në lidhje me taksën progresive në Shqipëri dhe ndikimin e saj. Siç shpjegohet në shkrim taksa progresive e cila kishte si qëllim uljen e shpenzimeve dhe rritjen e ekonomisë, në fakt po i varfëron më tepër shqiptarët. Me këto argumente dhe me një studim të Bankës Botërore, Tabaku ka treguar se si po rritet varfëria në Shqipëri.
:Në studimin e fundit të Bankës Botërore konfirmohet se ajo që socialistët e quajtën bekim për shtresën e mesme dhe për të varfrit, është kthyer në mallkim.
Studimi i Bankës Botërore argumenton se sistemi aktual i taksave në Shqipëri për të ardhurat personale, nuk e zvogëlon hendekun social dhe as nuk shpërndan të ardhurat në mënyrë efiçente”, tha ajo.
Sipas të dhënave të publikuara, numri i të varfërve që jetojnë me më pak se 2.5 USD në ditë është rritur me rreth 7 mijë si rezultat i taksës progresive. Por, sipas Bankës Botërore, efektin më të madh negativ kjo taksë e ka pasur tek individët apo familjet që jetojnë me 4 USD në ditë, duke prodhuar edhe më shumë varfëri tek ata të cilët e ndjejnë më shumë rritjen e taksave.
E vërteta është se, që kur Edi Rama erdhi në pushtet, taksa progresive ka varfëruar akoma më shumë të varfrit, ndërsa shqiptarët paguajnë më shumë taksa.
“• Për shkak të rritjes së taksave, sot shqiptarët paguajnë për karburantin çmimin më të lartë në rajon,
• Çmimi i energjisë është rritur, me 24 për qind për 75 për qind të konsumatorëve
• Çmimi i ujit është rritur me 40 për qind dhe pritet që të rritet sërish,
• Bizneset e vogla janë futur në skemën e TVSH-së, ndërsa miqtë oligarkë të kryeministrit, për llogari të të cilëve shqiptarëve po u grabitet prona me vendim qeverie, janë përjashtuar nga TVSH-ja. Nga ana tjetër, është rritur tatimi për të ardhurat personale deri në 23 për qind dhe tatimi mbi fitimin, në 15 për qind”, theksoi Tabaku.
Shqiptarët duhet ta dinë se po paguajnë më shumë taksa, rreth 2 miliardë dollarë më shumë në 5 vitet e fundit, për llogari të një grushti klientësh të kryeministrit dhe familjes së tij, për të cilët taksat e shqiptarët po përkthehen në fitime për koncesionet.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vuri në dukje politikat e gabuara të qeverisë, e cila, megjithëse ka rritur taksat, nuk ka arritur të mbledhë më shumë të ardhura dhe nuk ka bërë investime, nuk shërbejnë qytetarëve dhe rritjes ekonomike të vendit, siç është rasti i Rilindjes Urbane.
“Ne mendojmë që rruga e vetme për të shpëtuar ekonominë dhe mbi të gjitha për të nxjerrë vendin nga moçali i varfërisë ekonomike, është taksa e sheshtë. Ne jemi të bindur që vetëm aplikimi i një takse të sheshtë, ku gjithsecili të paguajë pjesën e tij proporcionale të taksës, mundet të ndihmojë rritjen e nivelit të konsumit. Ne besojmë që një taksim i ulët dhe i sheshtë do të ndihmojë sipërmarrjen vendase për të dalë nga vargonjtë e taksimit të padrejtë të vendosur nga qeveria Rama”, ka thënë nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku. /Telegrafi/