Telegrafi

Tabaku: Gjykata Evropiane e Auditimit ka treguar me fakte se Qeveria Rama është kampione e korrupsionit

Ish deputetja e Partisë Demokratike (PD), Jorida Tabaku ka thënë se Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), ka konfirmuar korrupsionin e rëndë në qeverinë “Rama”.

Tabaku në një komunikatë për media theksoi se vitin e kaluar, 1.7 miliardë euro janë keqpërdorur me qëllim nga qeveria e kryeministrit, Edi Rama.

Sipas saj, të gjitha raportet ndërkombëtare të institucioneve serioze botërore raportojnë sëmundjen e rëndë dhe të pashërueshme të qeverisë Rama, siç është korrupsioni.

“Dy javë më parë, raporti i OKB-së nënvizonte problemin e korrupsionit endemik që ka kapluar qeverisjen dhe shoqërinë tonë. Raporti i DASH, ambasadorja gjermane dhe biznese shqiptare vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për korrupsionin dhe lidhjet e bizneseve me qeverinë në përfitimin e tenderave publikë. Së fundi, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit fakton se vitin e kaluar qeveria ka keqpërdorur me qëllim 1.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, 923 milionë euro është dëmi ekonomik nga të ardhurat e pambledhura, që lidhet direkt me korrupsionin endemik, ndërkohë që janë keqshpenzuar në tendera dhe jo vetëm, 587 milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Ku humbasin milionat e eurove të taksave tona që rriten çdo vit? ”, tha ajo.

Ish deputetja Tabaku përmes komunikatës deklaroi se gjykata Evropiane e Auditimit ka treguar me fakte se Qeveria Rama është kampione e korrupsionit.

“Gjykata Evropiane e Audititmi fakton se 1 në 3 kompani përfiton abuzivisht nga tenderat, duke shmangur procedurat për një garë të ndershme, që do t’i kursesnin buxhetit miliona euro nga taksat e shqiptarëve. Sipas të dhënave nga Buletini i prokurimeve publike 11 oligarkë përmes 19 kompanive kanë fituar në total 2100 tendera dhe katër deputetë të qeverisë kanë fituar 410 tendera dhe koncesione. Ne kemi denoncuar faktin se:

Koncesioni i inceneratorëve 178 milionë euro u dha pa garë.

Koncesionet në shendetësi u janë dhënë miqve të kryeminsitrit.

Tenderi i unazës iu dha një kompanie me dokumenta te falsifikuara, DH Albania. Sot,  1 km rrugë bëhet me 22 milionë euro, si në asnjë vend të Europës.

Tenderat i marrin vetëm 11 persona të lidhur me Ramën dhe se ekonomia është kapur dhe kontrollohet plotësisht nga Edi Rama.

Që qeveria e Edi Ramës është kampione e korrupsionit, kjo u konfirmua nga Gjykata Europiane e Auditimit, e cila thotë se 1 në 3 tendera vidhet.

Tabaku po ashtu tha se ka vetëm një rrugë që sëmundja e korrupsionit të luftohet dhe të shërohet.

“Kjo rrugë kërkon largimin e arkitektit të korrupsionit nga qeverisja e vendit. Koha nuk pret. Shqiptarët largohen, vendi po varfërohet përditë dhe të vetmit që pasurohen janë ata që votën e blejnë me paratë e krimit dhe paratë e shqiptarëve i shpërndajnë në tepsinë e korrupsionit. Partia Demokratike ka vullnetin dhe planin për të nisur një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe për ta fituar atë, jo vetëm se korrupsioni është pengesë në procesin e integrimit, por dhe si arsyeja e vetme pse sot të rinjtë janë pa punë, pse rrogat dhe pensionet nuk rriten, pse nuk ka investime në rrugë, shkolla e spitale. Partia Demokratike beson se një ekonomi e lirë tregu, ku të gjithë garojnë të barabartë, me taksa të ulura e pa burokraci do të çlirojë kapitalin, do të rrisë investimet në ekonomi, do te hapë vende të reja pune dhe mundësi për çdo shqiptar punëtor e të ndershëm”, deklaroi ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. /Telegrafi/