Unai Emery ka siguruar sulmuesin Neymar se Paris Saint-Germain do të bëjnë gjithçka që munden për ta ndihmuar atë të fitojë Topin e Artë pas lëvizjes së tij rekord botërore te klubi francez.
PSG theu rekordin e transferimeve botërore kur bleu yllin e Brazilit në muajin gusht, duke paguar plot 222 milionë euro për ta sjellë atë në Parc des Princes.
Shumë sugjeruan se Neymar nuk ka gjasa të fitojë Topin e Artë duke luajtur në hijen e Lionel Messit në Barcelonë dhe se ai duhet të çlirohet duke u transferuar diku tjetër ku do ishte ylli kryesor i skuadrës.
Kështu edhe ndodhi pasi Neymari u transferua te PSG, duke ‘ndezur’ menjëherë në Ligue 1 me gjashtë gola të shënuara dhe dy gola tjera në Ligën e Kampionëve.
Neymar këmbënguli në shtator se fitimi i Topit të Artë nuk është një obsesion i tij, por PSG duket se synon të sigurohet që ai të fitojë këtë çmim të madh individual.
“Neymar është një lojtar me shumë cilësi”, ka thënë fillimisht Emery për gazetarët në konferencën e tij të mediave para ndeshjes të së shtunës me Dijonin.
“Ai është në gjendje të fitojë Topin e Artë. Ne duam më të mirën për të – ne duam ta ndihmojmë atë të fitojë këtë trofe”.
“Sot ka shumë lojtarë shumë të fortë në botë, por ne do të punojmë dhe do të ndihmojmë që ai të jetë një kandidat i rëndësishëm dhe të fitojë këtë trofe”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/