Për t’i ikur varfërisë, mungesës së perspektivës dhe duke menduar për një jete më të mirë, më 28 mars 1997, nga brigjet Jonit të Vlorës, drejt brigjeve të Italisë u nisën 115 shqiptarë – shumica prej tyre me familje.
Të mashtruar e të joshur prej trafikantëve që kishin rrëmbyer një anije, ata u nisën në “stacionin” më të afërt të emigrimit – pa e ditur se ai udhëtim do të ishte i fundit i jetës së tyre. Anija me të cilën udhëtonin 115 kërkues të jetës normale, u fundos në ujërat e Ontrantos pas një goditjeje katastrofike prej një anijeje italiane.
Për vite të tëra, familjarët e zhvilluan një betejë të ashpër e këmbëngulëse me drejtësinë italiane, për të zbuluar motivin e sulmit, urdhëruesit dhe autorët, e për t’i ndëshkuar ata për këtë tragjedi të njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur.
Ishte anija luftarake italiane “Sibilla” ajo që goditi, duke lënë të vrarë 81 persona, mes të cilëve 46 gra e fëmijë. 57 trupa u gjetën, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 janë të mbijetuar. U deshën gjashtë muaj pas ngjarjes, që anija të nxirrej nga fundi i detit bashkë me një pjesë të trupave të viktimave.
Atë kohë, Shqipëria, e përfshirë në kaosin kur shteti kishte rënë, përjetoi ngjarjen më të rëndë të emigracionit klandestin, ndërkohë që tragjedia e 81 viktimave të 28 marsit 1997 është kthyer në homazhe, kujtime e dhimbje të familjarëve.