Site icon Telegrafi

Ta bëjmë të “famshëm” Dick Martyn

Ka afërsisht dy muaj që vazhdimisht po përballem me një presion të madh mediatik, dhe që për çudi ky presion paska një emër, "MARTY"! Dita që raporti i z.Marti & Co morri hov nëpër mediet ndërkombëtare, ishte dita që pothuajse kisha marr më së tepërmi shikime në fytyrë. Nuk e dija se çfarë po ndodhte, isha i habitur nga ajo vëmendje. Vazhdoja të ecja drejt kafenesë që zakonisht pi kafen e mëngjesit, duke injoruar shikimet përgjatë rrugës. Me tu afruar te lokali, takova një mik timin nga Peru, gjithashtu student. Batuta e parë që dëgjova ishte kjo: “veshkën e kamë përplot gurë, nuk të duhet gjë” dhe pas kësaj një të qeshur të madhe. Ai vazhdoi me një tjetër batute, miku im më tha dhe një fjalë tjetër, por ashtu siç e theksoi ai, mu duk që fliste në gjuhën Peruane, dhe pa ia vu veshin vetëm buzëqesha, duke marrë drejtimin për nga banaku.

Pasi porosita kafen, e mora atë dhe u nisa drejtë tavolinës ku ishte i ulur miku im Peruan. Kësaj radhe e përshëndeta, por jo edhe duke e marrë përshëndetjen si zakonisht. Për çudi përshëndetja e tij kishte marrë një tjetër emër, por që prapë nuk e kuptoja. Ai e pa që unë nuk isha ne ngjarje dhe mu drejtua kështu: “mirëdita z. Trafikant”! ia ndërpreva fjalët, duke i thënë se nuk jam në humor të mirë, të lutem më thuaj çfarë ke?! . Nuk i ke dëgjuar lajmet?, nuk ke dëgjuar se si kryeministri juaj dhe ajo ushtria qe deri dje krenoheshe me të, duke më thënë se janë çlirimtare, sot akuzohen për trafik organesh?. Tani e kuptova se cila ishte ajo fjala që ai më herët nuk dinte ta theksonte mirë, e që unë nuk e kuptoja. Ishte emri i kryeministrit Thaçi, e qe shoku nga Peru e theksonte ndryshe, dhe të bëhej se po fliste në gjuhën e tij. Kafeja qe sapo kisha filluar ta pija, nuk e bëri efektin e sajë, dhe sytë mu errësuan për një moment, por në të njëjtën kohë nuk isha ende i sigurt nëse ai po tallej, apo e kishte njëmend.

Ishte pra ky lajmi i parë që mora për një diçka që do të shndërrohej në top temë, dhe më pastaj për afër dy muaj do të bëhej lajm i pa ndarë i veshëve të mi. Të them të drejtën, nuk e paramendoja ne përmasa të tilla. Pasi qe tashmë isha vënë në dijeni për gjithçka dhe për të gjitha llojet e akuzave që Dick & Co ka bërë kundër shqiptarëve, mendova se kjo nuk do të sillte dëme të mëdha, saqë isha i bindur se do të përfundonte po sikur edhe akuzat e ish-prokurores Del Ponte, apo edhe më lehtë. Në fakt, e kisha gabim. Ditët po kalonin dhe raporti në fjalë, që tashmë kishte zënë vend në pothuajse gjithë mediumet botërore, vazhdonte te ishte shkak i shumë deklaratave te qarqeve të ndryshme diplomatike, si dhe të shumë analistëve politik. Më bëri përshtypje deklarata e zëvendës ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, z.Thomas Countryman, ku në një intervistë për BBC, theksoi se Raporti i Dick Martyt dëmtoi rëndë reputacionin e Kosovës. Kjo ishte ajo që unë kishte kohë që po kaloja. Reputacioni. Kosova prej një vendi të viktimizuar, filloj te kthehej në një vend ku agresori vihej ne dyshim, dhe kjo falë një raporti që pastaj viktimat filluan të bëhen të gjalla.

Mr.Dick & Co e arritën qëllimin e tyre. E them "Co" sepse nuk ka qenë i mundur një raport i tillë, pa ndihmën e një “kompanie” njerëzish, qofshin ata serbë, apo rusë, por dhashtë zoti të mos jenë shqiptarë. Ata arritën qëllimin e tyre, sepse pak njerëz do ta marrin raportin dhe do ta lexojnë atë, qoftë i bazuar ne fakte apo trillim. Njerëzit do të krijojnë bindjet e tyre sipas asaj që kanë parë, dëgjuar dhe lexuar nëpër media lidhur me raportin, dhe sipas kësaj del që bindja e tyre për shtetin e ri, është ajo që Serbja gjithmonë ka tentuar ta pasqyroj në arenën ndërkombëtare. Personi që Serbia zgjodhi për një gjë të tille, është po ai që menjëherë pas pavarësisë së Kosovës më 12 Mars 2008, tha që vendimi për krijimin e shtetit të ri, nuk është marrë në Prishtinë, duke vazhduar te flas edhe për “kutin e Pandorës” dhe pasojat negative që mund te sjell shpallja e pavarësisë. Arsyetimi i tij se ai nuk ka qenë kundër shpalljes së pavarësisë, por që ka dashtë që ajo të bëhej në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, janë asgjë më shumë se një tjetër shpifje. Pra të gjitha këto ngjarje, janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, dhe se qëllimi i këtyre është humbja e reputacionit të Kosovës ne arenën ndërkombëtare, reputacion ky që është krijuar me dekada dhe jo për një vit apo dy.

Preokupimi im nuk është në atë se po flitet për një njeri, apo një tjetër, por në atë se po futet e gjithë UÇK-ja dhe populli im. Këtu po pres që hetimet qe tashmë ka filluar EULEX-i, të përfundojnë sa më shpejtë që është e mundur, sepse duke u nisur nga qëllimet dhe idealet që ka pasur populli im dhe UÇK-ja, por edhe nga hetimet e më hershme të cilat kanë rezultuar të pa baza, me del që edhe këto te fundit të njëjtin përfundim do kenë. Dallimi i vetëm është se në rast se akuzat dalin të pavërteta, nuk do të kenë bujshmërinë që patën atëherë kur u shpif. Gjithashtu misioni i Dickut & Co do të dalin fitues, sepse qëllimi i tyre ishte ajo që tashmë është arritur, dhe jo rezultati i hetimeve. Unë ju bëjë thirrje duke u nisur që nga institucionet tona, e gjer te gazetarët, por edhe shqiptarëve kudo nëpër botë, që në rast së nuk del asgjë e vërtetë nga ai raport, të bëhet e pa mundur që jehona t’i jepet dyfish ngaqë ishte kur u plasua, dhe secili që ka një mundësi më të vogël, të kontribuoj në këtë gjë. Në këtë mënyrë, ta bëjmë të famshëm z.Dick, por kësaj radhe për dështimin e tij dhe jo profesionalizmin dhe njëanshmërinë e treguar me këtë raport.

Unë personalisht po pres që hetimet të kryhen sa më parë dhe të ftoj mikun tim Peruan në një darkë, t’i tregojë sërish mburrjen që kam për UÇK-në dhe popullin tim, ashtu siç kamë bërë gjithnjë dhe njëkohësisht t’ia bëjë të ditur edhe mikut nga Peru, por edhe miqve të tjerë italian dhe një miku tjetër kamboxhian, i cili edhe pse kishte mësuar nga mediet për raportin, nuk ma tha ndonjëherë, po që e shoh se i kanë lindur dyshimet. Mendoj që gjërat e tilla do të na përcjellin ne si popull, qoftë me raporte te pabaza, qoftë me deklarata e shpifje ordinere, mirëpo ajo që duhet të bëjmë ne është që t’i parandalojmë ato duke qenë më aktiv në arenën ndërkombëtare. Kjo gjithashtu duhet të jetë një shembull i mirë që ne të jemi të përgatitur në raste të tilla, dhe duke u munduar me reagua, mos ta bëjmë të kundërtën, duke i dhënë rëndësi të tepruar.

(Autori është student i Shkencave Politike “Universita di Perugia” Terni – Itali)

Exit mobile version