Telegrafi

Szunyog: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen plotësisht

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomasz Szunyog, i shoqëruar nga shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu dhe zëvendës Ambasadori i Francës  François Cyprien janë takuar sot me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani.

Në komunikatën e zyrës së BE-së thuhet se gjatë takimit, ambasadori Szunyog ritheksoi rëndësinë që BE i jep rolit themelor të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e supremacisë së Kushtetutës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe parimeve themelore në të.

Ambasadori i BE-së në Kosovë ka theksuar se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga ndikimet dhe presionet politike.

“Për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të”, tha Szunyog

Në qendër të takimit ishte edhe nevoja që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, përfshirë edhe Aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për rastin e Manastirit të Deçanit. /Telegrafi/