“Të gjithë fëmijët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, raca, gjinia, feja, nevojat dhe aftësitë apo prejardhja sociale, duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha sot ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Sipas tij, kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për arsimin.
Arsimimi cilësor i fëmijëve me nevoja të veçanta dhe aftësi të ndryshme mbetet sfidë për të gjitha sistemet arsimore që synojnë të ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët, përfshirë edhe Kosovën.
“Në përputhje me dispozitat pozitive të Ligjit për Arsimin në Komunat e Kosovës, është me rëndësi vendimtare të vazhdohet me ndërtimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës dhe jo-diskriminues, ku të gjithë fëmijëve u jepen mundësi të njëjta për t’u zhvilluar, për të çmuar identitetin e tyre në një mjedis shumë-etnik dhe për t’u bërë anëtarë të integruar plotësisht në shoqëri”, tha Szunyog.
“Është për keqardhje që vazhdojmë të jemi dëshmitarë të ndarjes sistematike të fëmijëve në disa institucione arsimore në Kosovë, gjë e cila më së shumti prek fëmijët nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian të Kosovës”.
BE-ja vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e arsimit gjithëpërfshirës në Kosovë. Nga viti 2007 deri në vitin 2022, BE-ja ka investuar më shumë se 85 milionë euro në përmirësimin e cilësisë së arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë, në infrastrukturën arsimore, në mbështetje për arsimimin e fëmijëve nga komunitetet jo-shumicë, në trajnimin e mësimdhënësve dhe në arsimin profesional.
Përveç kësaj, midis viteve 2014 dhe 2021, Kosova ka përfituar më shumë se 12,5 milionë euro përmes programit të BE-së “ERASMUS+” që ofron mundësi mobiliteti dhe bashkëpunimi në arsimin e lartë dhe aftësimin profesional të të rriturve dhe trajnim./kp/