Site icon Telegrafi

Szunyog: BE ka vullnet të pranojë anëtarë të rinj, Kosova ta shfrytëzojë rastin

Ambasadori i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, gjatë vizitës së tij në Parkun Memorial “Bllaca 99”, ka deklaruar se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë e anëtarësimit në familjen e madhe evropiane, pasi kjo e fundit ka vullnet që të pranojë anëtarë të rinj.

Szunyog ka thënë për KosovaPress se gjatë periudhës 4-vjeçare të tij në Kosovë, ka takuar shumë evropianë të rinj dhe të entuziazmuar, që meritojnë një të ardhme evropiane.

“Ka vullnet dhe Kosova ka mundësi, dhe duhet të shfrytëzojnë mundësinë që të bëhet anëtare e BE-së, sepse nga ana e BE-së ka vullnet që të pranojë anëtarë të rinj…Gjatë kohë sime këtu, kam takuar shumë evropianë të rinj dhe të entuziazmuar dhe mendoj që meritojnë të kenë të ardhme evropiane” ka thënë Szunyog.

Ambasadori Szunyog ka shtuar se është shumë me rëndësi që Kosova së bashku me shtetet tjera të kenë paqe, në mënyrë që i gjithë rajoni të shkoj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Është me rëndësi për mua që ta vizitojë Bllacën sidomos tash kur është periudha kur e kujtojmë kohën e përvjetorit të 25-të prej fundit të konfliktit në Kosovë… Dhe mendoj se është me rëndësi që ta përkujtojmë këtë park për shkak të nderimit të atyre njerëzve që është dashur me forcë që ta lëshojnë Kosovën gjatë asaj kohe… Shpresoj që ky park do të vizitohet nga shumë njerëz, në mënyrë që ta kujtojnë dhe tërë ajo vuajtje të mos harrohen. Unë kam kujtime personale të asaj kohe më 1998. Në muajin nëntor kam vizituar veriun e Shqipërisë, Kukësin dhe kam qenë shumë i tronditur nga ajo që kam parë, me dhjetëra-mijëra refugjatë…Njëkohësisht është shumë me rëndësi që të vijnë deri te pajtimi në mënyrë që i gjithë rajoni të shkoj drejt BE-së”, ka thënë Szunyog.

Gjatë takimit që ai kishte me kryetarin e Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi është diskutuar edhe mbi rregullimin e rrugës që çon drejt Parkut Memorial Bllaca 99.

Exit mobile version