Site icon Telegrafi

Szunyog: Heqja e masave ndaj Kosovës varet nga pozicioni i shteteve anëtare të BE-së

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, ka thënë se heqja e masave të BE-së varet nga pozicioni i shteteve anëtare të BE-së.

“Ato janë që vendosin për këto çështje. Ka pasur një deklaratë pas atij konflikti, apo sulmeve ndaj KFOR-it më tre qershor që është dakorduar nga 27 shtetet anëtare dhe në bazë të kësaj është vendosur që të bëhen masat.  Ndërsa nuk ka pasur deklarim të ngjashëm për sa u përket sulmeve në Banjskë, pjesërisht ndoshta edhe për shkak se institucionet e Kosovë janë ende duke punuar në raportin që do t’i sjellë të gjitha faktet“, tha Szunyog në ‘RTK Prime’ .

Në pyetjen nëse masat e BE-së lidhen me implementimin e Asociacionit, ai tha se masat kanë të bëjnë me deklaratën nga tre qershori.

“Deklarata nga tre qershori është shumë e qartë dhe i kërkon Kosovës zgjedhjet e parakohshme në veri dhe që të zbatojë disa hapa në tri fusha. E para është de-eskalimi i situatës në veri, e dyta zgjedhjet e parakohshme në veri dhe në fund angazhimi në dialog duke përfshirë aty edhe Asociacionin”, theksoi ambasadori.

Lexo po ashtu Von Cramon: Është koha që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës

Szunyog, duke folur për dialogun, ka thënë se ka një lloj formulimi për sa i përket dialogut.

“Ekziston pozicioni i qartë i institucioneve të BE-së. Integrimi i Kosovës dhe Serbisë varet nga marrëveshjet për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe kjo është tejet e qartë. Pra, ky tekst reflekton faktin që kemi një pajtim në kuptimin e rrugës drejt normalizimit që nga shkurti. Pastaj aneksin e Ohrit nga marsi i këtij viti dhe tash flasim për zbatimin. Raporti është shumë i qartë. Fatkeqësisht as Serbia, e as Kosova nuk kanë filluar ta implementojnë atë”, ka deklaruar ambasadori Szunyog.

Szunyog ka thënë se fatkeqësisht bota është në kohë sfiduese për shkak të luftës në Ukrainë, e pastaj edhe lufta në Gaza dhe situatës së rëndë gjeopolitike dhe sipas tij zgjerimi është një prej veglave kryesore të BE-së, për t’u përballur me këtë mjedis sfidues.

“Fatkeqësisht jetojmë në një periudhë ku kemi luftë. Në Evropë agresioni rus ndaj Ukrainës, por kemi edhe një konflikt serioz në Gazë. Po ashtu kemi edhe një garë të rritur midis fuqive më të mëdha dhe kjo reflektohet edhe në këtë paketë zgjerimi. Bashkimi Evropian përçon një sinjal të qartë që BE tërësisht dëshiron të jetë union politik, gjeopolitik. Një fuqi e cila mund të zgjerojë zonën e stabilitetit, prosperitetit, paqes edhe drejt rajoneve që janë drejtpërdrejtë fqinj të BE-së, që janë Ballkani Perëndimor, por edhe Evropa Lindore”, theksoi ai.

Duke folur për statusin e kandidatit të Kosovës për BE,  Szunyog ka thënë se ky propozim do të diskutohet në organet punuese të Bashkimit Evropian, pastaj në nëntor dhe dhjetor do të futet në rendin e ditës të Këshillit të Ministrave dhe në mes të dhjetorit edhe në agjendën e Këshillit Evropian.

“Para Këshillit të Bashkimit Evropian do të jetë edhe samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Pra, ky propozim ka mundësi edhe të zgjerohet, por do të thosha që çështja e statusit të kandidatit, por edhe hapat në këtë rrugëtim të një vendi drejt Bashkimit Evropian varen nga qëndrimi i vendeve anëtare. Qëndrimi BE-së është që të gjithë hapat duhet të dakordohen nga të gjitha shtetet anëtare me unanimitet”, theksoi ai.

Ai ka deklaruar se ka shumë pak fusha ku nuk ka përparim në Kosovë.

“Përparimi i kufizuar nuk është vlerësim shumë i keq dhe nuk duhet të merret si gjë negative. Pra në thelb ka lëvizje në drejtimin e duhur, ka një lloj përparimi, por që duhet të shkohet më tutje”, ka theksuar ambasadori.

Ndryshe, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke komentuar Raportin e Progresit për Kosovën, ka deklaruar sot se raporti thekson progresin në shumë fusha reformuese, përfshirë reformën zgjedhore dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Ajo gjithshtu ka thënë se “Më në fund, është koha që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës!”.

Exit mobile version