Telegrafi

Szczesny nuk luan në ndeshjen hapëse të Serie A, mungon rreth tri javë

(Foto: Instagram/wojciech.szczesny1)

Wojciech Szczesny do të mungojë në ndeshjen hapëse të Serie A kundër Sassuolos, pas një lezioni të vogël në muskulin adductor longus të kofshës së majtë.

Portieri polak luajti në gjysmën e parë të humbjes nga Atletico Madridi në ndeshjen miqësore, para se të zëvendësohej nga Mattia Perin gjatë pauzës.

Juve ka konfirmuar se ish-portieri i Arsenalit është lënduar derisa ishte në fushë, prandaj iu është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore mëngjesin e sotëm (e hënë).

“Si pasojë e një pakëndshmërie që ndjeu në fund të pjesës së parë në ndeshjen ndaj Atletico Madridit, Wojciech Szczesny iu nënshtruar ekzaminimeve radiologjike këtë mëngjes në J|Medical që treguan një lezion të shkallës së ulët në muskulin adductor longus të kofshës së majtë”.

(Foto: Instagram/wojciech.szczesny1)

“Lojtari pritet të mungojë rreth 20 ditë”, thuhet në njoftimin e klubit italian.

Lexo po ashtu Szczesny thotë se nuk nënshkruan me Di Marian dhe Pogban për të përfunduar në top katër

Juventusi është nikoqir i Sassuolos në Allianz Stadium në ndeshjen e parë të Serie A këtë sezon që zhvillohet të hënën e ardhshme më 15 gusht. /Telegrafi/