Site icon Telegrafi

Sytë e fëmijëve

Erion Kristo

Ky shkrim u kushtohet syve të fëmijëve. Çështjet e fëmijëve nuk mbarojnë kurrë, sepse janë çështje të jetës dhe jeta është larushi. Në një shënim personal, e vetmja gjë që më ngjall frikë në këtë botë janë sytë e fëmijëve. Sytë e fëmijëve janë të pastër dhe ata kërkojnë përgjigje. Dhe nuk mund të spërdridhesh kur ata të pyesin dhe të shikojnë thellë në sy. Sytë e tyre të depërtojnë deri në bark. Nëse të pyesin: Çfarë ke bërë ti për ne? si mund të përgjigjesh? Nuk e di si e ndjeni ju këtë pyetje, por mua më ngjall frikë. Kujtoj mijëra fëmijë që kanë ikur nga ky vend, sepse shumë njerëz të tjerë nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Është vërtet e frikshme.

Por, nuk jemi këtu për të folur për veten, edhe pse mund t’i përgjigjemi disi kësaj pyetjeje, madje me krenari. Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjemi të gjithë. Ky shkrim synon të rendisë disa pyetje që mund të bëhen lidhur me fëmijët dhe fëmijërinë. Dhe meqenëse nuk kemi një njeri që të na bëjë pyetje, do ta ndërtojmë këtë shkrim si një lloj vetinterviste, sepse është e këndshme të sfidohen caqet e shkrimit.

Do ta fillojmë me pyetjen e madhe: A duhet të ngremë një botë për fëmijët? Patjetër. Fëmijët kanë nevojë për botën e tyre, një botë ku të jenë të sigurt dhe të zhvillojnë talentet e tyre. Nëse nuk ngremë një botë për fëmijët ata do të vijnë e do të ngulen te bota jonë e telenovelave, e politikës, e muzikës, e krimit madje etj. Nëse vijnë në botën tonë atëherë kur nuk duhet, ata nuk do ta bëjnë më të bukur botën tonë, thjesht do shëmtojnë botën e tyre. Ngase bota jonë është një botë që nuk e ka fare në program fëmijërinë. Për t’ua bërë pak më të prekshme këtë do ju kujtoj deklaratat e fundit të politikanëve. Ato janë kaq të pakta sa mund t’i numërosh me gishta. I pari që i përmendi fëmijët në këtë kohë të trazuar politike ishte Lulzim Basha në fjalimet e tij protestuese duke e quajtur betejën e vet betejë të fëmijëve. Ai u pasua pashmangshmërisht nga kandidati për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit madje bëri një deklaratë të padëgjuar, ku vlerësonte më shumë fëmijët sesa partitë. Themi se është e padëgjuar dhe e çuditshme jo se ai nuk ka folur për fëmijët gjatë mandatit të vet, por sepse në Partinë e tij shumica e kokave mendojnë se partia vlen më shumë madje sesa atdheu. Dikë që mendonte të kundërtën në partinë e vet e ndoqën fare.

Le të kalojmë te pyetja tjetër: A duhet të ngremë një ushtri njerëzish që mendojnë e veprojnë vetëm për fëmijët? Përgjigjja është e prerë: Po! Nëse nuk është një ushtri njerëzish që u janë kushtuar fëmijëve, edhe rezultatet do jenë të vogla dhe të pandjeshme. Deri më tani kemi vetëm një lukuni njerëzish që e kanë mendjen te projektet, por jo një grup të shquar njerëzish që projektojnë një botë me përmasa fëminore. Le të themi që ka shumë pak që po përpiqen të bëjnë një lëvizje për fëmijët. Nëse doni një fakt për këtë po ju përmend se fëmijët që duan të luajnë pjesë teatrale, nuk kanë të tilla në dispozicion. Ata luajnë pjesë nga Pallati 176, Tomka dhe shokët e tij, Shoku ynë Tili, pra pjesë të një kohe të shkuar, që s’kanë aspak lidhje me kohën dhe modelet tona edukative. Për të mos folur për modelet tona edukative.

Pyetja më serioze e kësaj vetinterviste: A duhet ta ëndërrojnë fëmijët tanë madhështinë? E bëj shpesh këtë pyetje dhe përgjithësisht marr një përgjigje të vagët. Më së shumti thuhet se fëmijët tanë nuk duhet ta ëndërrojnë madhështinë, por të jenë modestë. Pra, fëmijët tanë janë të dënuar gjithë jetën të hanë byrekë me gjizë. Fëmijët tanë duhet të mësohen të ëndërrojnë gjëra madhështore, dhe në këto gjëra madhështore nuk hyjnë vetëm gjërat që kanë të bëjnë me krimin. Aty ne kemi arritur disi të jemi madhështorë. Po fëmijët tanë duhet të ëndërrojnë gjëra madhështore lidhur me shkencën, me artin, me kulturën, me ekonominë, me plot gjëra të tjera ku ne ende nuk kemi shkëlqyer. Fëmijët tanë duhet të shikojnë një Shqipëri tjetër, shumë herë më të bukur, më të lartë, më të madhe. Jo vetëm Zvicrën e Ballkanit, por pse jo dhe Shqipërinë e botës. A është e mundur kjo? Pyesni kombet e tjerë të vegjël si Irlanda, Islanda, etj.

Një pyetje ngacmuese, madje acaruese është: A e dini se çfarë fjalori përdorin fëmijët tuaj në komunikimin mes tyre? Them se e dini, ose dhe ndoshta nuk e dini. Duhet që t’i mbikëqyrni. Dilni në dritare dhe shikojini fëmijët tek luajnë nëse kanë ndonjë vend të vetëm ku mund të luajnë. Do mahniteni nga fjalori i vajzave. Fjala e bukur, fjala e ëmbël, fjala fisnike kanë kohë që janë mërguar nga ky vend. Por le ta diskutojmë këtë herë tjetër, pasi të keni hapur paksa sytë.

Një pyetje që e kam fort për zemër: A e shpëtojmë dot fëmijën po e shtrënguam fort për dore? Përgjigjja është: Jo! Jetojmë në një vend ku të duket se e rrit fëmijën vetëm. Dhe sado që ta shtrëngosh fort për dore, e kupton se kjo nuk mjafton. Nuk mjafton. Nëse nuk arrijmë që të kujdesemi jo vetëm për fëmijën tonë, por dhe për të tjetrit, fëmijët tanë nuk do të jenë të sigurt. Mos mendoni se ia hodhët jetës. Nuk ka njerëz të tillë në botë. Ka njerëz që kujdesen më shumë dhe kuptojnë më shumë. Por nëse ne cenojmë shanset e jetës së një fëmijë duke dëmtuar prindërit e tyre, mos mendoni se këto shanse të cenuara nuk do na cenojnë edhe ne. Është vetëm çështje kohe. Le të marrim një shembull: Nëse heq nga puna dikë thjesht sepse është i partisë tjetër dhe e zëvendëson me dikë të cilit i ke marrë para, a mendon se nuk ia ke cenuar fëmijët? A mendon se ky cenim nuk do kthehet në mënyrë të mistershme te ti? Pse u shpik koncepti i Karmës?

A ka ardhur koha që fëmijët të na edukojnë neve të rriturve? Po, besoj fort që po. Fëmijët e sotëm janë të llahtarshëm në kuptimin që kanë një aftësi të pabesueshme për të nxënë. Kjo aftësi bie me rritjen e tyre. Nëse lindin me universitet, kur vijnë në universitet janë në nivelin e një fëmije. Fëmijët mund të kapin më shpejt atë çka duhet në një shoqëri të lirë e demokratike. P.sh. fëmijët mund t’i mësojmë të kenë mendim kritik, ose të jenë të lirë në shprehje, ose të respektojnë mendimin e tjetrit. Po vetëm kaq do të mjaftonte për të krijuar një botë të re. Ka ardhur koha që fëmijët të merren me edukimin e të rriturve, meqë të rriturit është katërçipërisht e vërtetuar që nuk merren dot me edukimin e vetes.

Fëmijët kanë mend. Përse ata nuk japin mend në media? Pse njerëzit pa mend japin mend në media? A ka ardhur koha që media të ndryshojë konceptin për fëmijët? Po! Jo vetëm sepse fëmijët kanë një Kartë të veçantë të të drejtave. Jo vetëm sepse ata janë një masë e konsiderueshme e popullsisë. Jo vetëm sepse prindërit janë të ndjeshëm ndaj fëmijëve. Por sepse ata kanë një botë të tyre, një jetë të tyren, një mendje të tyren. Këto duhen marrë në konsideratë. Dhe nuk duhet lejuar me patjetër që media t’i shfrytëzojë fëmijët, siç bën rëndom.

Sa është buxheti i Qendrës së fëmijëve apo sido që quhet ajo Agjencia që merret me fëmijët, AShëDëMëFëja? Aty duket serioziteti i shtetit përballë fëmijëve. Aty të kujtohet shprehja: Me tri aspra miku, dashka verë të mirë!

A ka fëmijë të talentuar në Shqipëri? Pyetje për të mëdhenjtë e këtij vendi: Përse shqiptarët nuk kanë një Shkollë për Olimpiadat? Ose Shkollë për Gjenitë? Ua kam shpjeguar disa kokave të vendit rëndësinë e kësaj gjëje, rëndësinë strategjike për sigurinë kombëtare. Po i zhgënjyer tërësisht nga njerëzit që kanë pushtetin në këtë vend, e dimë që nuk mund të presim gjë. Ne si komb thjesht do gëzohemi për sukseset e shqiptarëve kudo në botë, por shansin për t’i gëzuar ata këtu, në vendin tonë, nuk do ta kemi. Sepse po nuk mbolle nuk korr (kështu më duket rendi i saktë i fjalisë nëse nuk gaboj). Dhe ne as që kemi ndërmend të mbjellim. Ne na vjelin të tjerët dhe ato që mbijnë vetë. Vetëm se jam i detyruar ta bëj një premtim jete këtu: Unë do ta realizoj këtë ide. Mos t’i ngelet qejfi askujt.

Cila është marrëdhënia që bota e reklamave ka me fëmijët? Një botë e paqartë, me shumë abuzime dhe symbyllje jo vetëm popullore, por dhe institucionale. Mjafton të kujtojmë këtu atë reklamën ku një fëmijë më shumë se sa prindërit do një lëng frutash. Kjo marrëdhënie abuzimi më kujton ata njerëzit që shkelin një lulishte. Lulet e bukura nën këmbët mizore.

Me kaq po e mbyllim këtë shkrim. Sollëm disa pyetje, por jo të gjitha. Një shkrim kurrë nuk duhet të jetë shterues. Është mirë kur shkrimet janë të hapura dhe plotësohen nga të tjerët, si ato pjesët në piano për katër duar. Të krijohet një ndjenjë plotërie, jo vetëm se të marrin në konsideratë, por se krijon atë që na mungon më së shumti: korin.

P.S. Sado që përpiqet, njeriu nuk i ikën dot egoizmit të vet. Me plot gojën dua të them se ky shkrim është një nga arritjet e mia si qenie që mendon. Jam krenar për këta tinguj harpe për fëmijët. Krenar mbi të tjerët që njohin një melodi të vetme: politikën. Ose ndoshta këta rreshta të fundit nuk janë vetëlëvdatë, por ngacmimi më i madh i shkrimit, një ngacmim nxitës.

Exit mobile version