Telegrafi

Synuan postin e kryetares, dhjetë gratë që nuk arritën të marrin besimin e qytetarëve

Foto: Ilustrim

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në Kosovë, kandidatet shqiptare nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme për të siguruar një mandat në krye të komunës.

Nga dhjetë kandidate që ishin në garë, nëntë prej tyre u mposhtën në raundin e parë të zgjedhjeve, ndërsa vetëm një arriti të shkonte në balotazh, por që më pas u mposhtë nga kundërkandidati i saj.

Ardiana Qorraj, kandidate e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetare të Deçanit, në zgjedhjet e 17 tetorit kishte fituar vetëm 298 vota.

Arbenesha Kuçi po ashtu kandidate e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetare të Gjakovës, kishte marrë vetëm 1 mijë e 377 vota.

Pak vota kishte arritur të siguronte edhe kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arta Ahmeti- Xhylani, më 17 tetor ajo në Drenas fitoi vetëm 411 vota.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, vota të mjaftueshme nuk arriti të siguronte as Anduena Gllareva nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila si kandidate për për kryetare të Drenas mori besimin e vetëm 219 qytetarëve.

Kurse, Leonora Morina Bunjaku, kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetare të Gjilanit, në zgjedhjet lokale mori 3 mijë e e 518 vota.

Në garë për kryetare të Dragashit ishte edhe Kaltrina Salihu nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte arritur të grumbullonte vetëm 2 mijë e 375 vota.

Pak e votuan edhe Drena Podrimçakun, e cila nga Partia Balliste kandidoi për kryetare të Pejës, ajo u votua vetëm nga  89 qytetarë.

Ndërsa, Floretë Zejnullahu nga Partia Demokratike e Kosovës, në Podujevë kishte fituar 2 mijë e 471 vota.

Në garë për të fituar udhëheqjen e komunës ishte edhe Sibel Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në Ferizaj u votua nga 4 mijë e 585 qytetarë.

E vetmja kandidate grua që arriti të shkonte në balotazh ishte Mimoza Kusari Lila nga Lëvizja Vetëvendosje. Në garën për Gjakovë, ajo u mposhtë nga kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

Kusari – Lila sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka marrë 18 mijë e 873 vota.

Kurse, Ardian Gjini nga AAK, ka fituar 20 mijë e 254 vota.

Ndërsa në komunat me shumice serbë tashmë mandatin e kryetares e kanë fituar Lilana Shubariq dhe Katarina Ristiq. Që të dyja i përkasin subjektit politik Lista Serbe.

Lilana Shubariq do të udhëheq komunën e Graçanicës, kurse Katarina Ristiq komunën e Ranillugës.

Ndryshe, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 17 komuna kanë zgjedhur kryetarin, kurse 21 tjera kishin shkuar në balotazh më 14 nëntor.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, në raundin e dytë të zgjedhjeve, LVV ka fituar në katër komuna, aq sa kanë fituar edhe PDK e LDK, derisa AAK ka fituar në tri komuna.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve të drejtë vote kishin 1 milion e 260 mijë e 571 qytetarë. /Telegrafi/