Site icon Telegrafi

Synohet themelimi i AIR Kosova

Republika e Kosovës së shpejti do të promovojë politika për thirrjen e investitorëve të interesuar që të investojnë në tregun e transportit ajror, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Kjo për faktin se shteti i Kosovës, sipas tyre, ende nuk ka ndonjë kompani shtetërore ajrore.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se së shpejti kjo ministri do dërgojë një propozim në Qeverinë e Kosovës me qëllim të përgatitjes së dokumentacionit për fillimin e bashkëpunimit me kompani të interesuara për tregun e transportit ajror.

“Ne si ministri në konsultim me Agjencinë e Aviacionin Civil të Kosovës do të promovojmë një politikë të nxitjes së investimeve të avio-kompanive të interesuara të cilat dëshirojnë të hyjnë në tregun e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës”, tha Lekaj.

Ministri Lekaj tha se Kosova po synon të praktikojë modelin tashmë të zbatuar nga Republika e Shqipërisë.

Qeveria e Shqipërisë në muajin maj të vit të kaluar ka marrë vendim për krijimin e shoqërisë së përbashkët me përgjegjësi të kufizuar “Air Albania”, e cila do operojë në fushën e transportit ajror. Kjo kompani është krijuar ndërmjet disa ortakëve, por që në përputhje me ligjet shqiptare, shteti si pronar, përfaqëson 51 për qind të aksioneve.

Viteve të fundit, nënvizoi ministri Lekaj, ka rënë trendi i krijimit të avio-kompanive shtetërore për shkak të kostos shumë të lartë dhe jo të qëndrueshmërisë të tyre financiare.

Edhe ekspertë të aviacionit civil, vlerësojnë se situata financiare në Kosovë nuk është në favor të posedimit të kompanive ajrore.

Ali Aliu, piloti i parë kosovar që ka drejtuar aeroplanët reaktivë dhe supersonikë në ish-Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë, thotë se ky biznes është shumë i shtrenjtë.

Aliu i cili njëherësh ka qenë drejtor i departamentit të Aviacionit në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë për Radion Evropa e Lirë se duke marrë parasysh numrin e banorëve në Kosovë, shteti i Kosovës nuk ka leverdi për krijimin e një kompanie ajrore shtetërore, për shkak të konkurrencës dhe kostos së lartë të mirëmbajtjes.

“Më e leverdishme është që në këtë treg të jenë investitorë të huaj në mënyrë që mos të marrë barrën shteti për krijimin e një kompanie shtetërore ajrore. Kështu që unë jam për mundësinë që të ketë investitorë të huaj, kurse shteti të merr pjesë me një përqindje të madhe të aksioneve, por jo të krijojë vetë sepse nuk ka llogari. Pra, ngjashëm sikurse që është në Shqipëri”, tha Aliu.

Aktualisht Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, agjenci kjo e Kombeve të Bashkuara për Aviacion Civil. Por, ministri Lekaj thotë se mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë nuk paraqet ndonjë problem.

“Në këtë drejtim nuk do të ketë probleme sepse ato (kompaninë e tinteresuara) janë nga shtetet e pranuara në këtë organizatë dhe ne vetëm bëjmë marrëveshje reciproke që ato të kenë simbolin e shtetit të Kosovës”, theksoi Lekaj.

Ndryshe, në Kosovë ekziston Ligji i aviacionit publik i miratuar nga Kuvendi. Në këtë ligj thuhet se përdorimi i hapësirës ajrore të Kosovës është i lirë për të gjithë avionët civilë të regjistruar në Kosovë, por që duhet të mbajnë markën shtetërore e cila i është ndarë Kosovës nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gjatë vitit 2018 kanë operuar 32 kompani të gjitha ndërkombëtare. Shumica e tyre vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian. Zyrtarë të këtij aeroporti kanë thënë se gjatë vitit 2018 numri i pasagjerëve ka qenë mbi 2.1 milionë udhëtarë, apo 15 për qind më shumë se në vitin 2017. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version