Telegrafi

Synohet përshpejtimi i procesit të adoptimit të fëmijëve në Kosovë (Video)

45 fëmijë janë braktisur nga familjarët e tyre gjatë vitit 2015. Prej tyre, 11 presin të adoptohen.
Procedurat e stërzgjatura për adoptimin e fëmijëve konsiderohen të jenë të mundimshme për prindërit adoptues, raporton KTV.

Drejtoresha e koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, Donjeta Kelmendi, vlerëson se këto procedura janë të stërzgjatura dhe të panevojshme.

Sipas saj, institucionet përgjegjëse po i zvarrisin punët dhe kjo është në dëm të fëmijëve.

Njëjtë mendon edhe udhëheqësja e kujdesit alternativ në SOS Fshatin e fëmijëve, Ariana Shala.

SOS Fshati ofron kujdes afatshkurtër, ku hyjnë fëmijët e moshës 0-3 vjeç të cilët janë potencialë për adoptim, dhe kujdes afatgjatë.

Zyrtarët e institucioneve përgjegjëse për këtë kategori të fëmijëve, thonë që familjet të cilat duhet të adoptojnë një fëmijë, duhet të presin 1 vit, ku sipas tyre, kanë kërkuar që të bëhet 6 muaj.

Po ashtu, fëmijët mund të adoptohen edhe jashtë Kosovës.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, numri i fëmijëve të braktisur është më i vogël sesa kërkesat për adoptim.

Sos Fshati, edhe pas moshës 18-vjeçare, nuk heq dorë nga këta fëmijë, ku ofrohet programi i gjysmë-pavarësimit. Këta të rinj përkrahen edhe financiarisht deri të kalojë në pavarësim të plotë.