Përfshirja e grave në institucionet e sistemit të sigurisë rrit efikasitetin në zgjidhjen dhe parandalimin e konfliktit, u tha në konferencën me temë “Roli i gruas në ruajtjen e paqes dhe sigurisë – Rezoluta 1325 Bazat për Aksion”, e cila po zhvillon punimet të enjten dhe të premten në Shkup.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, ka theksuar se është thelbësore që të zhvillohen instrumente funksionale për të kontrolluar dhe mbështetur përfshirjen e grave në shoqëri, edhe pse kjo gjë në letër është e lehtë për t’u zbatuar, por problemi qëndron në mendësinë e krijuar se siguria është çështje që u përket burrave.
Shekerinska, si ministre e Mbrojtjes, ka sjellë përvojën personale duke ua theksuar vazhdimisht të punësuarve në dikasterin që drejton se nuk është “mëkat” nëse e shkruajnë si ‘ministre e Mbrojtjes’ dhe jo ministër.
Ajo ka thënë se përderisa tre vjet më parë ka qenë vetëm një kolonele gra, tani janë tri gra kolonele dhe për herë të parë në historinë e shtetit, pozita e adjutantit në Presidencë i është besuar një gruaje.
“Si shtet që numëron momentet e fundit para anëtarësimit të plotë në strukturat euro-atlantike, do të doja të theksoj se në çka jemi të fokusuar. Aktualisht, në kuadër të Armatës së Maqedonisë së Veriut, gratë janë të përfshira me 10 për qind”.
“Më gëzon fakti se në nivel të oficerëve, përqindja e përfshirjes së grave është më e lartë dhe atë me 15 për qind, kurse më e ulët është në stafin e ushtarëve të paguar. Përderisa në dikasterin e Mbrojtjes gratë janë të përfaqësuara me 38 për qind. Pra, numri lëviz varësisht nga strukturat”, ka bërë të ditur Shekerinska.
Ajo ka bërë publik lajmin në kuadër të konferencës se edhe Franca, gjatë së enjtes, ka ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Kjo, sipas Shekerinkës, paraqet një porosi të fuqishme politike pasi 28 prej 29 vendeve anëtare, praktikisht për nëntë muaj e ratifikuan Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriutnë Aleancën Veriatlantike.
Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Marie Byrnes, ka theksuar se gjatë muajve në vijim, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, dhe me këtë garantohet më shumë siguri për qytetarët e vendit, por edhe më shumë obligime rreth sigurisë.
Ndërkaq, Afrodita Musliu, organizatore e konferencës nga organizata joqeveritare “NEXSUS”, ka theksuar se përmes një angazhimi të përbashkët të më shumë aktorëve, siç janë institucionet e shtetit, institucioni ligjvënës, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare dhe mediat, mundësohet të kontribuojnë në pjesëmarrjen e më shumë grave ne vendimmarrje dhe në ndërgjegjësimin e tyre për t`iu përgjigjur sfidave që kanë të bëjnë me shfaqjen e dhunës, parandalimin dhe menaxhimin e konflikteve.
“Praktikimi i politikave të sigurisë mbi bazë të barazisë gjinore, Maqedoninë e Veriut do ta bëjë një partner të besueshëm në aktivitetet brenda Aleancës Veriatlantike, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar Musliu.
Ndërkaq, përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Clare Hutchinson, në paraqitjen e saj ka theksuar se me shumë rëndësi është që të mblidhen përvojat e të gjitha vendeve që të gjendet modeli më i mirë për ndërtimin e mekanizmave që gratë të përfshihen në menaxhimin e situatave post-konfliktuoze.
Nga ana tjetër, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska, ka theksuar se Maqedonia e Veriut, e ka harmonizuar në masë të madhe legjislacionin që garanton barazi gjinore, por mbetet të punohet në ndryshimin e mendësisë përkatësisht grave t’u besohen pozitat udhëheqëse veçanërisht në raste konfliktesh dhe shprehjen e antagonizmave.
Deskovska, gjithashtu ka thënë se edhe pse Rezoluta 1325 e OKB-së është miratuar para 19 vjetësh, ajo për Maqedoninë e Veriut paraqet një udhërrëfyes se si duhet luftuar paragjykimet.
Ajo ka kujtuar se dikastere të rëndësishme në Qeverinë aktuale drejtohen nga gratë.
“Duhet investuar më shumë në shprehjen e vullnetit që gratë të jenë të pranishme në institucione. Paragjykimet nuk është lehtë të identifikohen, veçanërisht nëse ato kanë lëshuar rrënjë të thella në një mjedis se lëmi të caktuara janë vetëm për burrat”.
“T’i lini në duart e grave financat, mbrojtjen, drejtësinë punën dhe politikën sociale, paraqet një dëshmi për aftësinë e grave për të menaxhuar institucionet, veçanërisht për gratë në vendin tonë”, ka thënëDeskovska duke shtuar se drejtimi i ministrive nga gratë, duhet shënojë rritje.
Në kuadër të konferencës dy ditore , të enjten dhe të premten organizatorët e konferencës “Nexsus-civil – koncept”, Instituti për studime gjinore, Fakulteti Filozofik në Shkup, Zyra e Diplomacisë Publike e NATO-s në Bruksel, dhe CIVICA Mobilitas, në fokus është vendosur rëndësia e Rezolutës së OKB-së 13 25, përkatësisht rëndësia e përfshirjes së barabartë të grave në sistemin e mbrojtjes dhe parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve.
Në bazë të kësaj Rezolute, u bëhet thirrje vendeve anëtare për pjesëmarrje më të madhe të grave në miratimin e vendimeve, përfshirë të gjitha nivelet e vendimmarrjes./Rel/