Site icon Telegrafi

Synohet blerja e aparateve që detektojnë veturat e paregjistruara në Kosovë

Byroja Kosovare e Sigurimeve të Kosovës, ka njoftuar se është e gatshme të blejë aparatura për detektimin e veturave të paregjistruara me sistem digjital, por që presin bashkëpunim edhe nga Policia e Kosovës.

“Nëse Byroja duhet të investojë në pajisje për Policinë e Kosovës ne jemi të gatshëm, mirëpo duhet një lloj bashkëpunimi ndërinstitucional sepse në këto raste humb edhe shteti. Besojmë se do të ketë veprime konkrete”, deklaroi Sami Mazreku nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Ndërsa Policia e Kosovës në një përgjigje për RTV Dukagjinin ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim me çdo institucion, në përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Edhe njohësi i çështjeve të komunikacionit Bekim Ahmeti thotë se kjo do të ishte një ide e qëlluar, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se edhe blerja e radarëve statikë do të ndihmonte në përmirësimin e situatës në komunikacion.

“Kjo do ta rriste vetëdijesimin e qytetarëve të cilët nuk është dashur të dalin farë në rrugë nëse nuk kanë sigurim…Edhe radarët statikë do ta ngisnin sigurinë nëpër rrugët tona dhe ta ulnin numrin e aksidenteve”.

Numri i madh i veturave të paregjistruara është nder problemet që po e pengon Kosovën të anëtarësohet në Komisionin e Byrosë Evropiane që siguron kartonin e gjelbër./Telegrafi/

Exit mobile version