Federata e Basketbollit e Kosovës tash e tre vite është pjesë e projektit “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj).
“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim të promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.
Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e tre vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt, ku FIBA Evropa pas evaluimit të vitit të parë të projektit të FBK-së, ka vendosur që të vazhdojë mbështetjen edhe për një vit tjetër për FBK-në, e cila ka arritur që të rrisë numrin e vajzave të reja që e praktikojnë basketbollin, dhe njëkohësisht duke e rritur edhe numrin e klubeve të femrave.
Federata e Basketbollit e Kosovës është e vendosur që të punojë në masivizimin e basketbollit femëror, dhe mbështetja nga FIBA Evropa nëpërmjet projekteve të tilla si FIBA Europe Girls Program dhe kampanja “Her World, Her Rules” është rruga e duhur për të arritur këtë qëllim.
Arben FETAHU – Kryetar/Federata e Basketbollit e Kosovës
Kampanja “Her World, Her Rules” është iniciativa më e njohur e FIBA-s sa i përket basketbollit femëror.
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) në Planin Strategjik 2021-2025 ka vendosur të angazhohet për të zhvilluar edhe më tej basketbollin e femrave dhe për këtë arsye e ka përcaktuar objektiven e veçantë “Femrat në Basketboll”, nëpërmjet të cilës synon të rrisë numrin e vajzave që merren me basketboll, por edhe numrin e trajnereve, gjyqtareve, delegateve, administratoreve, e kështu me radhë.
Kampanja “Her World, Her Rules” i ka ndihmuar dukshëm FBK-së që të rrisë interesimin e vajzave të reja që merren me basketboll, por tani me objektiven e veçantë “Femrat në Basketboll” ne besojmë se do të vazhdojmë të mbështesim dhe të zhvillojmë fuqishëm basketbollin e femrave dhe këtë synojmë ta realizojmë së bashku me të gjitha grupet tona të interesit.