Site icon Telegrafi

Synimet e rrezikshme të Tadiqit

Si shumica e udhëheqësve politikë në Serbi, kryetari serb, Boris Tadiq, është zotuar që kurrë të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur. Por për dallim nga kundërshtarët e tij politikë, ai ka bërë disa hapa në dukje konstruktivë, duke përfshirë thirrje për dialog dhe pranim të një realiteti të ri. Sidoqoftë, politika e moderuar e kreut të shtetit serb nuk shkon përtej retorikës. Vetë përkufizimi i tij për dialogun dhe realitetin jo vetëm që nuk është pragmatik, por i shërben në fakt përpjekjeve të rrezikshme për të copëtuar Kosovën – një ndërmarrje që mund të ketë pasoja të rënda për të gjitha vendet e Ballkanit.

Sa herë bën thirrje për dialog, Tadiqi flet vetëm për bisedime mes “serbëve dhe shqiptarëve”, duke iu shmangur pra ngritjes së mundshme të Kosovës në statusin e bashkëbiseduesit të barabartë me Serbinë. Dhe ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, kritikoi homologun serb se po i shpërfill autoritetet e Kosovës, z. Tadiq vendosi t’i përcjellë ofertën e tij për dialog pikërisht Tiranës.

Na duhet të kemi parasysh realitetin, thotë Presidenti Tadiq. Pajtohet se shqiptarët kurrë nuk do ta pranojnë sovranitetin serb. Por ai pandeh se as serbët në veri të Kosovës nuk do të pranojnë atë që e quan sovranitet shqiptar. Andaj, udhëheqësi serb e fton Shqipërinë për të zgjidhur një mosmarrëveshje territoriale të një shekulli.

Dikush do të çuditej nëse Republika e Shqipërisë njëmend ka ndonjë kontest territorial me Serbinë. Aq më tepër, nëse serbët në veriun e Kosovës do të refuzojnë të integrohet në shoqërinë kosovare, në një kohë kur vëllezërit e tyre nga jugu kanë bërë përparim të theksuar në pjesëmarrje në jetën publike të vendit të tyre të ri.

Ashtu-kështu, Tadiqi ka zgjedhur një shteg të lëkundshëm drejt zgjidhjes. Ai synon të flasë me palën e gabuar – Tiranën në vend të Prishtinës. Veç asaj, dëshiron të diskutojë një temë që nuk po e pranon pala tjetër. Deri tani, Kosova ka hyrë në bisedime me Serbinë vetëm për rangë teknike dhe nuk do të flasë për çështje politike. Mirëpo Tadiqi mundohet të shmangë Kosovën dosido. Për të bërë këtë është gati edhe të heqë dorë nga pretendimi serb ndaj një pjese të territorit të Kosovës, por pa e njohur Republikën e Kosovës. Ai shpreson të përfshihet në bisedime për të rivizatuar kufijtë dhe për të futur brenda Serbisë veriun e Kosovës të banuar me serbë ose edhe më shumë, nëse ia mundësojnë kushtet në terren.

Edhe nëse ia del mbanë që të flasë me shqiptarët – ndonëse nuk jam i sigurt me kë, meqë Tirana nuk do t’i anashkalojë institucionet kosovare dhe shumica shqiptare në Kosovë këmbëngul për të ruajtur tërësinë tokësore të vendit – Tadiqi do të ndërmarrë një hap të rrezikshëm për vendin e tij. Realiteti i një popullate që sfidon sovranitetin shtetëror, çfarë ai vë në dukje për veriun e Kosovës, mund të zgjerohet shumë lehtë edhe në hapësirat joserbe brenda Serbisë.

Dëshira e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Serbinë jugore është që të bashkohen me Kosovën. Nuk ka ndonjë qëndresë së përhapur të publikut ndaj autoritete serbe atje, mirëpo kjo ndodh për shkak se as Kosova e as Shqipëria nuk kanë sponsorizuar themelimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve paralele dhe faktorëve destabilizues. Beogradi e ka bërë këtë me të madhe në veri të Kosovës, duke shkelur edhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Njëherësh, edhe rajoni i Sanxhakut, i banuar me boshnjakë në Serbinë jugperëndimore, mund të paraqesë sfidë për sovranitetit shtetëror serb. Sanxhaku i përkiste dikur vilajetit të Kosovës dhe shumë prej banorëve janë me prejardhje shqiptare ose kanë lidhje kulturore që i ndajnë ata nga Serbia. Komunat e Tutinit, Novi Pazarit (Jenipazarit apo Tregut të Ri), dhe Sjenicës përbëjnë popullsi homogjene të boshnjakëve që, në mungesë të vazhdimësisë territoriale me Bosnjë-Hercegovinën, mund të zgjedhin të bashkohen me Kosovën ose Shqipërinë. Shqiptarët do të dëshironin të merrnin këto treva për arsye historike dhe aktuale. Madje, e kemi dëgjuar edhe nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se do të kërkonin Sanxhakun në rast të këmbimit të territoreve.

Në anën tjetër, Republika e Kosovës do të kishte interes për boshnjakët me shpresë për të ruajtur veçorinë shumetnike, që do të rrezikohej së tepërmi nëse shkëputet veriu. Më shumë se gjysma e kosovarëve serbë do të mbetej brenda Kosovës, por ndryshimet e kufijve mund të ndikojnë prapëseprapë në klimën politike, përkundër përpjekjeve për të mbajtur tempin e zhvillimeve pozitive. Ndryshimet tokësore mund të zhbëjnë përparimet e fundit drejt ripajtimit dhe bashkëjetesës dhe të sjellin një realitet të ri, në të cilin mund të venitet roli i ligjeve dhe institucioneve që nxisin integrimin shumetnik. Plani i Ahtisaarit – i hartuar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari – i cili ka vendosur themelin për demokraci shumetnike mund të mos jetë më në fuqi në një Kosovë të copëtuar.

Duke vendosur një afat kohor prej 100 vjetësh, Tadiqi i ka bërë lak çështjes së trevave të spastruara mes kufirit me Kosovën dhe qytetit juglindor të Nishit. Ndërsa shqiptarët e përzënë nga shtëpitë e tyre në rajon gjatë viteve 1870 mund t’i përkasin një të kaluare të largët, në mbarë ish-Jugosllavinë ka akoma varre të njoma të luftërave dhe spastrimit etnik të nxitur nga Serbia në vitet 1990. Efekti i ndryshimit të kufijve të Kosovës mund të prekë Evropën Juglindore në tërësi dhe të jetë shkas që Serbia të bëhet sërish nismëtarja e konflikteve dhe tragjedive në këtë pjesë të Kontinentit të Vjetër.

Exit mobile version