Sulmet serbe më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 dhe qëndresa heroike e familjes së Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari ishin moment kyç që forcoi vendosmërinë e luftëtarëve të UÇK-së për të vazhduar luftën për çlirim. Sakrifica që bëri familja Jashari ndikoi që radhët e shqiptarëve të cilët iu bashkoheshin UÇK-së, të rritën në numër të madh dhe me shpejtësi.
Profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani, thotë se sakrifica e familjes Jashari kishte një impakt të madh në sensibilizimin e gjendjes në Kosovë në arenën ndërkombëtare. Hasani potencon se sakrifica e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin, pati ndikim në mobilizimin e të rinjve në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër regjimit të Slobodan Miloshoviqit.
“Sakrifica e familjes Jashari në përgjithësi dhe Adem Jasharit në veçanti si komandant i UÇK-së, ka pas një rezultat të madh në sensibilizimin e gjendjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare, pra impakti ka qenë i madh në arenën ndërkombëtare. Po ashtu ka pas një ndikim tepër të madh në mobilizimin e të rinjve dhe të rejave të cilin kanë rezistuar paraprakisht në vitet e 90-ta, por që me momentin e rënies së Adem Jasharit dhe familjes së tij, janë mobilizuar në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe kanë bërë përpjekje për me ja dhënë goditjen finale regjimit të Slobodan Milosheviqit”, tha ai.
Njëri prej protagonistëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, thotë se me rënien e familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin, jo vetëm që nuk u shua rezistenca, por ndodhi e kundërta. Jashari thekson se shteti dhe ushtria serbe pretendonte se me eliminimin e kësaj familje dhe lagjes, do të shuhet rezistenca.
Ai thotë se pas sakrificës së familjes Jashari, masivizimi i UÇK-së, ka qenë shumë i madh dhe numri i njerëzve që janë ofruar ka qenë e pa mundur që të armatosen.
“Po nuk ndodhi si në të kaluarën, në historinë e popullit tonë, kur binin njerëz në luftëra të ndryshme dhe shuhej rezistenca, por impakti i kësaj ishte për vetë faktin sepse ishte një rënie e madhe e familjes Jashari dhe e lagjes në tersi. Në këto tri ditë ranë 59 dëshmorë në epopenë e lavdishme të UÇK-së, dhe në vend të pretendimeve që i ka pas ushtria dhe policia serbe dhe shteti serb që me shuarjen e kësaj lagjeje dhe me vrasjen e bashkëluftëtarëve të Adem Jasharit do të shuhet rezistenca, ndodhi e kundërta. Mendoj se masivizimi ka qenë i madh njerëzit janë ofrua aq shumë sa që ka qenë e pamundur t’i armatosim. Falë kësaj sakrifice, kësaj rënie biblike dhe qëndresës tre ditore të lagjes Jashari, bashkë me komandantin legjendar Adem Jashari e masivizoj dhe e orientoj popullin drejt lirisë”, tha ai.
Sakrifica e familjes Jashari dhe qëndresa heroike e komandantit legjendar Adem Jashari kishin një impakt shumë të madh në rrjedhojën e më pastajme të ngjarjeve. Jo vetëm që nuk u shua rezistenca siç synonte regjimi serb, por ajo u forcua dhe u masivizua duke i dhënë mbështetje të madhe UÇK-së nga populli.
Ky akt sublim i qëndresës jo vetëm që pati rëndësi në mobilizimin e luftëtarëve shqiptarë, por pati rëndësi të madhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare, duke e përshpejtuar rrugën drejt çlirimit të Kosovës. /kp/Telegrafi/