Personat me sindromën Down janë të angazhuar nëpër qendra të ndryshme të shoqatës “Down Syndrome Kosova” por për shkak të pandemisë kjo shoqatë është ndikuar shumë dhe rrezikon të ndërprejë aktivitetet për shkak të mungesës së fondeve.
Nëna e Sumejës, Behare Shaqiri, thotë se të qenurit prind i një fëmijë me doën syndromë në Kosovë është shumë e vështirë derisa kërkon nga shteti që ta përkrahin këtë kategori per shkak se rrezikohen te shuhen aktivitetet per shkak te mungeses së vazhdueshme të fondeve.
‘’Unë kërkoj që të iu bie në mend për fëmijët tanë dhe të punojnë që të kenë më shumë shërbime sepse Sumeja tashmë është në klasën e pestë, por ne po mendojmë për të ardhmen si do të ja del pas klasës së nentë, ku do të shkojë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Behare Shaqiri.
Drejtoresha e “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri tha se pandemia ka ndikuar shumë në punën e DSK dhe se kjo shoqatë është në një situatë shumë të pafavorshme sa i përket ofrimit të shërbimeve për personat me sindromën down.
‘’Që nga koha kur ka filluar pandemia dhe kur janë marrë masat kundër pandemisë ne në vazhdimësi kemi adresuar kërkesat tona pasi që ne rrezikohemi të ndërpresim aktivitetet për shkak të rrethanave të krijuara. Deri më tani nuk kemi përgjigje nga institucione të nivelit qendror. Ne kemi dërguar kërkesë me shkrim që nga Kryeministri deri te ministritë e linjës, deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, deklaroi Sebahate Beqiri.
Televizioni Dukagjini ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë dhe të Ministrisë së Puneës dhe Mireqenies Sociale por ende nuk ka pranuar përgjigje në pyetjen se a do t’i dal në ndihmë “Down Syndrome Kosova”. Muaji tetor njihet si muaji i ndërgjegjësimit për personat me Down Syndrome. /RTV Dukagjini/Telegrafi/