Site icon Telegrafi

Sylejmani: Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme në gjendje të vështirë

Dhoma e Posaçme është në gjendje dhe rrethana shumë të vështira. 21 mijë lëndë që kërkojnë trajtim janë grumbulluar aty. Ndërsa, mungojnë gjyqtarët dhe stafi tjetër.

Ndonëse pritet të kalojë në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, ligji i ri ende nuk është miratuar si rezultat i mungesës së kuorumit në seanca, që po pamundëson një gjë të tillë.

Kryetari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, thotë se kalimi i këtij ligji do të krijojë bazën ligjore që Dhoma e Posaçme të funksionojë.

Sylejmani thekson nevojën e madhe që Dhoma e Posaçme ka për gjyqtarë.

“Ne po presim edhe në lexim të dytë të kalojë dhe të krijohen kushtet, baza ligjore që Dhoma e Posaçme të funksionojë. Jemi në pritje të gjyqtarëve të ri që do t’i zëvendësojnë gjyqtarët e EULEX-it, të cilëve u ka përfunduar mandati dhe se këta gjyqtarë nuk mund të vijnë përderisa nuk e kemi të aprovuar ligjin e Dhomës së Posaçme. Prandaj, është kërkesë e imja po edhe e gjithë gjykatës që sa më shpejt që të jetë e mundur ky ligj duhet të kalojë dhe të krijohet baza ligjore që Dhoma e Posaçme të kompletohet me gjyqtarë fillimisht, e pastaj edhe me stafin tjetër”, thotë ai, në intervistë për KosovaPress.

Mungesa e gjyqtarëve, ka bërë që një numër shumë i madh lëndësh të mbesin në pritje.

Për këtë, Sylejmani thotë se gjykatës i duhet të zëvendësojë minimumi edhe 10 gjyqtarë në mënyrë që të arrijë të jetë në numër sa ishin edhe gjyqtarët e EULEX-it.

“Tash nuk kemi gjyqtarë të mjaftueshëm. Momentalisht i kemi 11 gjyqtarë, një ka shkuar në pension, një tjetër është zgjedhur kryesues i një komisioni në Këshillin Gjyqësor që e ka pezulluar detyrën e gjyqtarit në Dhomën e Posaçme, kështu që është numri shumë i vogël. Gjykatës minimumi i duhet të zëvendësojë për fazën fillestare së paku edhe 10 gjyqtarë në mënyrë që ta kemi atë pozicionin sa ishin gjyqtarët e EULEX-it. Mirëpo kjo nuk e zgjidh problemin, ne duhet të kemi shumë më tepër gjyqtarë për të zgjidhur këto lëndë që janë mbi 21 mijë lëndë në pritje në Dhomën e Posaçme”, është shprehur ai.

Ai thotë se ky gjykata nuk po mund të arrijë ta zvogëlojë këtë numër për shkak të kapacitetit shumë të vogël të gjyqtarëve.

“Procedurat janë të tilla, është gjykatë më specifike dhe nuk mund të kryhen lëndët më tepër se ato që po kryhen brenda vitit në gjykatë. Ne kemi dhënë të dhëna statistikore shumëherë edhe në Këshill Gjyqësor, po flas për vitin e kaluar ne vetëm deri në qershor kemi punuar, ngase pas qershorit është bllokuar vendimmarrja në Dhomën e Posaçme, meqë nuk kishim mundësi t’i formojmë kolegjet për shkak se gjyqtarët ndërkombëtarë përfunduan mandatin dhe gjykata u bllokua. Kësisoj tani kjo ka shkaktuar pengesa të zgjidhen edhe lëndët dhe në mos arritjen e efikasitetit që të gjithë e presin prej Dhomës së Posaçme”, tha Sylejmani.

E një problem tjetër del të jetë edhe vështirësia në rekrutimin e stafit për Dhomën e Posaçme.

Sipas Sylejmanit, ka vështirësi në sigurimin e kandidatëve që mund të vijnë si gjyqtar në Dhomën e Posaçme, ngase kërkohet një përvojë bukur e gjatë e punës si gjyqtar.

“Nuk ka edhe aq kandidat shumë të interesuar për të ardhur për gjyqtar të Dhomës së Posaçme, kemi vështirësi edhe në sigurimin e kandidatëve ngase kërkohet minimumi t’i kenë 8 vite përvojë pune si gjyqtarë. Aktualisht kanë filluar disa procedura të rekrutimit për 7 pozitat e shpallura për gjyqtarë të EULEX-it, janë paraqitur kandidatët, mirëpo nuk kemi edhe shumë kandidatë të interesuar”, thotë ai. /kp/Telegrafi/

 

Exit mobile version