Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka thënë se ekziston rrezik potencial për një ndërhyrje ushtarake të Serbisë në Kosovë.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i ka cilësuar si serioze kërcënimet e Serbisë për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
Syla në RTV Dukagjini, tha se megjithatë, në rast se Serbia tenton të hyjë ushtarakisht në territorin e Kosovës, nuk do ta ketë të lehtë sepse sipas tij, ajo do të përballet me NATO-n dhe po ashtu me FSK-në dhe institucionet e tjera të sigurisë.
Syla ka theksuar se rreziku për një ndërhyrje të Serbisë është potencial, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës.
“Serbia e din që nuk është e lehtë të bëjë sulm ndaj Kosovës, sepse përballet me NATO-n, duhet ta dijë që Kosova nuk është më e vitit 99. Kosova sot ka polici, ushtri, ka segmente të sigurisë që janë të përgatitura në nivele të duhura. Nuk është si më herët që ka bërë vepra shfarosëse. Duhet ta dijë që do të përballen me një forcë serioze, NATO është aty, dhe asesi nuk do të lejoj që të mund të bëjë ndonjë invazion si tenton Serbia. Megjithatë rreziku është potencial, me vetë faktin që për çdo ditë kërcënon ushqen forcat që i ka përbrenda ilegale dhe destabilizon gjendjen e cila nuk i konvenon popullit serb pikësëpari aty, janë lodhur me ato tensione”, ka thënë Syla.
Ai e ka akuzuar shtetin e Serbisë, se me qëllim po përhapë dezinformata duke inskenuar dhe propaganduar vazhdimisht me qëllim për ta tensionuar situatën në veri të Kosovës.
“Institucionet po e kryejnë punën e tyre, po e përcjellin gjendjen me vëmendje, segmenti i sigurisë policia dhe organet e tjera po e përcjellin gjendjen, për ta realizuar misionin e tyre, zbatimin e marrëveshjeve në të cilat krijohet stabiliteti, përkundër faktit që Serbia me elementet e veta po dëshiron ta tensionojë vazhdueshëm duke inskenuar dhe përdoru luftërat hibride që kanë për qëllim të përhapet lajme të rreme”, ka thënë ai.
Tutje, ai tha se edhe bashkësia ndërkombëtare është mirë e informuar për rrezikun që mund t’i kanoset Kosovës nga Serbia, teksa ka shtuar se forcat e KFOR-it, janë duke e monitoruar gjendjen e tensionuar në veri.