Telegrafi

Syla i reagon Bulliqit: Trego për rolin e Haradinajt në temën e Demarkacionit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi për çështjen e demarkacionit.

Syla i është drejtuar Bulliqit duke thënë se meqë ka folur për rolin e Thaçit dhe Mustafës për demarkacionin, është mirë që t’i tregojë opinionit edhe për rolin e Haradinajt në këtë temë, gjë që sipas tij ai e dëshmon më së miri.

Lexo po ashtu Kurti për demarkacionin me Malin e Zi: Pesë vjet nga nënshkrimi që kushtoi 8.200 hektarë

Sipas tij, Haradinaj ia ka dhënë tërë mbështetjen Bulliqit për kërkesat që ai ka pasur.

Lexo të plotë postimin:

“I nderuar koleg deputet Bulliqi. Mbrëmë paske folur për demarkacionin, rolin e Mustafës dhe Thaçit. Është mirë që t’i tregoni opinionit tonë edhe për rolin z. Haradinaj në këtë temë, gjë të cilën ti e dëshmon më së miri.

Besoj të kujtohet kur një natë para se të ratifikohej marrëveshja, kur erdhe i mbushur frymë dhe kërkove takim urgjent me kryeministrin Haradinaj. Besoj të kujtohet edhe biseda në korridor, kur i tregoje Haradinajt se po duan të ndërhyjnë në tekstin e marrëveshjes, disa grupe parlamentare që ishin duke punuar në Kuvend në ato orë të vona të natës.

Ju e dini se çka i tha Haradinaj përfaqësuesit të AAK-së në telefon atë natë (jam i bindur që të kujtohet mirë toni i asaj bisede). Ju e dini edhe përkushtimin e angazhimin e Kryeministrit Haradinaj për Kullën e Çakorrin.

E dini shumë mirë që në kohën kur punoje për raportin, Haradinaj të ofroi tërë mbështetjen e tij, në lidhje me kërkesat tuaja. Profesor i nderuar, së paku për hirë të së vërtetës sepse jo gjithçka në jetë është politikë, edhe këto e ke me borxh t’ua tregosh qytetarëve”. /Telegrafi/