Sydney Sweeney mahniti në Festivalin e 75-të të Filmit në Berlinale, ku mori pjesë në festën e Armani Beauty.
Aktorja 27-vjeçare u shfaq me një fustan mëndafshi të bardhë dhe një stil klasik të flokëve që evokonte magjepsjen e vjetër të Hollywood-it.
Ndërsa festivali ishte një moment i rëndësishëm për të, Sweeney vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe për rikthimin e shumëpritur të serialit Euphoria, shkruan DailyMail.
Pas një pauze trevjeçare, xhirimet e Sezonit 3 kanë nisur dhe premiera pritet në vitin 2026.
Aktorja do të rikthehet si Cassie Howard, së bashku me Zendaya, Hunter Schafer dhe Jacob Elordi.
Sezoni i ardhshëm pritet të sjellë ndryshime të mëdha në kast dhe një kërcim kohor në histori, duke i çuar personazhet përtej viteve të shkollës së mesme.
Sydney Sweeney ka shprehur entuziazmin e saj për rikthimin në serial, duke premtuar një histori më të errët dhe të thelluar emocionalisht.
Ndërkohë, fansat mezi presin të zbulojnë fatin e personazheve të tyre të preferuar dhe drejtimin e ri që do të marrë tregimi. /Telegrafi/