Telegrafi

Swansea e ndal Unitedin

United e dominoi fillimin e sfidës, ku u paraqit me formacionin më të fortë. Presioni në fillim të sfidës u shpagua pas 16 minutash lojë. Pas një harkimi nga korneri nga Robin Van Persie, i sakt me kokë u tregua Patrice Evra, i cili e kaloi në epërsi nënkampionin e Anglisë.

Në vazhdim Swansea filloi ta merrte lojën në dorë dhe pas një aksioni të bukur ishte Michu që nga afërsia shënoi për 1-1 dhe gëzimin e madh të tifozëve vendas.

Në vazhdim ishin të dyja skuadrat që sulmuan, me Unitedin që kishte dominimin dhe posedimin e topit.

Pjesa e dytë ishte tejet interesante. Swansea kishte më shumë raste për shkak të kundërsulmeve jashtëzakonisht të shpejta, të cilat për pak sa nuk rezultuan të suksesshme.

Sidoqoftë, sfida mbaroi me rezultat 1-1 dhe kështu edhe u ndal seria prej pesë fitoreve radhazi e Manchester United, duke ndezur një shkëndijë shprese për Manchester Cityn dhe Arsenalin, të cilët hap pas hapi po e përcjellin klubin nga Old Trafford.

Manchester United pas këtij barazimi ka 43 pikë, katër pikë më shumë se sa Manchester City në pozitën e dytë. /Telegrafi/