Trajner legjendar i futbollit, suedezi Sven-Goran Eriksson, ka vdekur në borxhe të mëdha, raportojnë mediat suedeze sipas dokumenteve zyrtare.
Eriksson u nda nga jeta gushtin e kaluar pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me kancerin e pankreasit. Gjatë karrierës së tij 42-vjeçare, suedezi drejtoi klube të mëdha dhe ekipe kombëtare, si Kombëtaren e Anglisë, dhe pavarësisht fitimeve të mëdha, ai përfundimisht vdiq me shumë borxhe.
Familja e ekspertit të famshëm të futbollit është e detyruar të shesë shtëpinë e tij për të shlyer borxhet e mëdha të shkaktuara për shkak se Eriksson ishte viktimë e një mashtrimi masiv.
Pasuritë e Eriksson u bënë publike të martën, me dokumente nga Suedia që tregonin se ai vdiq me 10 milionë euro borxhe, shumica e të cilave erdhën nga Britania e Madhe, ku ai kishte 8.5 milionë euro në taksë.
Për të shlyer borxhet, familja detyrohet të shesë vilën e tij luksoze ku ka kaluar vitet e fundit të jetës.
Pasi bëri suksese të mëdha në karrierën e tij dhe fitoi një pasuri të vërtetë, suedezi i famshëm humbi më shumë se 11 milionë euro për mashtrim. Ai u mashtrua nga këshilltari financiar Samir Khan, i cili kishte akses të pakufizuar në pasurinë e Eriksson.
Këshilltari financiar shpenzoi 11 milionë euro për investime të dyshimta, përfshirë edhe planet e pronave. Vetë Eriksson foli për gjithçka në vitin 2013.
“E vërteta është se unë kurrë nuk jam kujdesur për paratë, aspak. Samiri e mori atë shumë seriozisht dhe ai, të cilit i besova të kujdesej për paratë e mia, më bëri të humbas miliona”, kishte thënë Eriksson për gazetën suedeze Aftonbladet. /Telegrafi/