Telegrafi

Aksioni i Policisë në veri, zbulohen tre laboratorë droge dhe arrestohen dy serbë

Dy serbë janë arrestuar dhe janë zbuluar tre laboratorë droge në veri të Kosovës, njoftoi  Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, të dielën më datë 12.02.2023, në rajonin e Mitrovicës veri, ka realizuar një operacion policor antidrogë, me mbështetjen edhe të njësive tjera relevante policore.

Operacioni policor i koduar me emrin “Shpata” është realizuar në tri lokacione.

Gjatë realizimi të këtij operacioni antidrogë është arritur të zbulohen tre laboratorë me bimë narkotike; dy laboratore me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të.

Lexo po ashtu Sveçla: Vlera e gjërave të kapura në veri 3.2 milionë euro, narkodilerët që i mbështet Vuçiqi po mbrojnë drogën e jo serbët e Kosovës

“Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojnë dy persona të dyshuar meshkuj serb, përderisa të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren ne bashkërendim me organet e drejtësisë”.

“Policia mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale në vend, në veçanti luftë e pa kompromis do të zhvillohet ndaj personave apo grupeve kriminale që merren me abuzimin, posedimin, kultivimin apo trafikimin e substancave narkotike (drogave) në përgjithësi”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në lidhje me këtë aksion është deklaruar edhe Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

“Pavarësisht angazhimeve të policisë, kriminelët ende po mendojnë se mund të vazhdojnë me shkeljen e ligjit dhe kundërligjshëm të pasurohen në kurriz të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka dhënë detaje edhe në lidhje me të arrestuarit dhe përkatësinë e tyre etnike.

“Bashkëpronar i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij”.

“Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vucic e Petkovic. Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar”.

Ministri i Brendshëm thotë se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar maksimalisht që jo vetëm me institucionet e sigurisë por edhe me gjithë shoqërinë të luftojë çdo fenomen negativ dhe të forcojë shtetin e ligjin./Telegrafi/