Site icon Telegrafi

Iu refuzua vizita në Luginë, Sveçla: Do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit

Foto: Arkiv

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se autoritetet serbe ia kanë refuzuar vizitën e planifikuar për të enjten në Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se ky vendim i autoriteteve të shtetit fqinj është marrë pa asnjë arsye e as shpjegim.

“Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai tutje ka thënë se ky akt i Serbisë dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës.

“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”.

Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, Sveçla ka paralajmëruar se do të veprojnë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve. /Telegrafi/

Exit mobile version