Site icon Telegrafi

Sveçla: Walker, zëri i së vërtetës për Reçakun

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim ambasadorin William Walker, për të cilin ka thënë se “do të mbetet gjithmonë miku ynë i madh”.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kishte nderin e madh të mirëpret në Ministrinë e Punëve të Brendshme mikun e tij të veçantë, mikun e përhershëm të popullit shqiptar, zërin e së vërtetës, atë të Reçakut, Ambasadorin William Walker.

“Për gati dy orë takim të përzemërt biseduam për progresin e Republikës së Kosovës, për demokratizimin e institucioneve tona si shembull në rajon e për angazhimin tonë të përditshëm në sundimin e rendit, ligjit, luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit në çdo cep të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.

“Secila fjalë admiruese e tij për përparimin e vendit tonë është motiv i madh për të gjithë ne. Ambasadori Walker është dhe do të mbetet gjithmonë miku ynë i madh, falë angazhimit të së cilit mbarë bota njohu dhe reagoi ndaj gjenocidit të Serbisë në vendin tonë”, ka shkruar ai.

Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker ka bërë homazhe të hënën në varrezat e 45 civilëve që u vranë në Reçak nga forcat serbe.

Lexo po ashtu Ishte zëri i masakrës së Reçakut, Walker: Kosova sot gëzon demokraci, falë sakrificës së shumë djemve

Në 25 vjetorin e kësaj masakre, Walker ka thënë se nga sakrifica e shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.

“Kam ardhur t’u them tungjatjeta miqve të mi në Reçak, ku disa prej tyre i njoh që 25 vjet. Disa prej tyre janë ndarë nga jeta dhe siç mund ta shihni asaj rruge jam edhe unë”, ka thënë Walker.

Walker i cili po qëndron në Kosovë në 25-vjetorin e masakrës në Reçak, është pritur në takim edhe nga kryeministri Kurti, i cili e ka falënderuar ambasadorin Walker për kontributin e pazëvendësueshëm gjatë kohës së luftës dhe jehonën që i dha masakrës në Reçak në rrafshin ndërkombëtar.

Në takim u rikujtuan vitet 1998-1999, kur ambasadori Walker ishte në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin. /Telegrafi/

Exit mobile version