Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po qëndron sot në një vizitë zyrtare në Republikën e Francës, ku u takua me Drejtorin për Evropë Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Ambasadorin Frederic Mondoloni.
Me këtë rast ministri Sveçla e falënderoi Mondoloni, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria franceze si një partner i afërt dhe strategjik i Kosovës, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme e Francës për mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
“Ministri Sveçla konfirmoi zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si një ndër prioritetet kryesore, si dhe kërkoi edhe më tej përkrahjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për të forcuar kështu luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se “padyshim se theks të veçantë i’u kushtua edhe rëndësisë së liberalizimit të vizave, duke ritheksuar kërkesën që qytetarët e Kosovës të mos mbeten qytetarët e vetëm të izoluar në Ballkan”.
“Ambasadori Frederic Mondoloni, rikonfirmoi vullnetin e Francës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe u shpreh i lumtur që Qeveria e Kosovës është stabile dhe ka prioritet forcimin e shtetit, përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore”, vijon njoftimi. /Telegrafi/